Avdyli: Te Kukësi për të treguar veten, dua trofe
Ilir Avdyli është një nga afrimet e Kukësit në merkaton e kësaj vere. Portieri i cili sezonin e kaluar u aktivizua te Kamza dhe që nga muaji mars nuk ka qenë në aktivitet është i lumtur për mundësinë që i është dhënë dhe është gati të tregojë aftësitë e tij te verilindorët siç deklaron vetë Avdyli në një intervistë për kanalin zyrtar të Kukësit nga Ohri ku skuadra po zhvillon fazën përgatitore.
“Unë me qëllimin e vetëm që kam ardhur te Kukësi, që në fillim e kam menduar se do të vijë momenti im, herët a vonë. Jam duke punuar mjfat mirë, së bashku me kolegët dhe me stafin. Ekipi ka filluar të marrë formë dhe do të vijë momenti më shpejt nga sa e kisha menduar. E pres me padurim këtë moment dhe kam punuar gjatë gjithë kohës, duke pritur momentin që do të vinte një ndeshje e cila është e barabartë me një trofe dhe shpresoj ta kalojmë në mënyrën më të mirë. Shpresoj shumë tek ekipi, pasi ka potencial dhe nuk do të jetë problem të përballojmë një ndeshje të tillë”.
Avdyli e pranon se Kukësi është skuadra e tij më e madhe në karrierë deri tani.
“Kukësi lufton gjithmonë për trofe dhe më ka shtyrë edhe mua të provoj një aventurë të re, pasi kisha kohë që luaja me ekipe që pretendonin mesin e tabelës. Kjo gjë të mban karikuar gjatë gjithës kohës dhe duhet të nxjerr maksimumin tim. Nëse jam titullar do të provoj të jap më të mirën. Kjo është një mundësi shumë e mirë, pasi je gjatë gjithë kohës i përqëndruar”.



