Bakaj lider në Bjellorusi, përfshihet në formacionin e javës!
Elis Bakaj është kthyer në një lider të vërtetë te Shakthyor Soligorsk në Bjellorusi. Pasi e nisi sezonin me një dygolësh në Kupë, sulmuesi shqiptar i cili te skuadra Soligorsku luan në rolin e mesfushorit të avancuar ishte një nga lojtarët më të mirë në fushë në fitoren e javës së parë që Shakthyor mori me rezultatin 1-0 ndaj Slavia Mozyr.
Bakaj ashtu si sezonin e kaluar vazhdon të mbetet një lojtar i padiskuteshëm në formacionin e nënkampionëve të Bjellorusisë.31-vjeçari u përzgjodh në formacioni më të mirë të javës të publikuar nga sajti Federatës Bjelloruse të Futbollit. Përzgjedhja e lojtarëve bëhet në bazë të statistikave të mbledhura nga kompania e të dhënave “Instat”.
Bakaj iu bashkua skuadrës së Shaktar Soligorskut në janar të vitit të kaluar. Këta të fundit shpenzuan mbi 100 mijë euro për të blerë kartonin e tij nga Kukësi. Sezoni i parë i sulmuesit në Bjellorusi rezultoi një sukses, me Bakajn që ishte një ndër më të mirët në skuadër, duke regjistruar 9 gola dhe numrin më të lartë të asisteve në skuadër.




