VIDEO/ Balaj shpërthen me dygolësh, fitore me aromë mbijetesë për Bolusporin
Bekim Balaj vendimtar për skuadrën e tij Boluspor, në garën për mbijetesë në Ligën e Parë të Turqisë. Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare realizoi dygolësh në fitoren 2-1 përballë Samsunsporit në javën e 34-të të kampionatit.
Një fitore me shumë peshë për faktin se Bolusspori ruan diferencën prej tri pikësh me Bursasporin e vendit të 16-të, që me pozicionin aktual bie nga kategoria.
Në fakt, të parët shënuan miqtë me Yaldir që në minutën e 19-të, por Balaj ktheu baraspeshën në të 29-tën falë pasimit të marrë nga një tjetër shqiptar, Odise Roshi.
Pa u mbushur 10 minuta lojë në pjesën e dytë, Balaj realizoi golin e përmbysjes, i shërbyer në këtë rast nga Cevahir. Në minutat e mbetura nuk pati më ndryshim rezultati, me Balajn që rezultoi vendimtar në këtë sukses shumë të rëndësishëm të Bolusporit. Sulmuesi shkodran qëndroi në fushë deri në minutën e 85-të, ndërsa Roshi mbeti në lojë deri në vërshëllimën e trefishtë të kryesorit. Titullar luajti edhe Selmani në portë, ndërsa Dejvi Bregu u aktivizua në fund të takimit.



