Ballkani shmang humbjen ndaj Prishtinës, barazim pa gola në Drenica-Gjilani
U luajtën këtë të martë dy ndeshjet e para të javës së katërt të IPKO Superligës së Kosovës, të cilat përfunduan pa fitues. Kështu, Ballkani barazoi 1-1 në Therandë me Prishtinën, duke iu kthyer rezultatit pozitiv pas dy humbjeve radhazi. Kryeqytetasit shpërdoruan një mundësi të mirë për të marrë pikët në këtë transfertë, teksa kaluan në epërsi në minutën e 52-të me Mankendan, ndërsa 20 minuta më vonë barazoi Baftiu, duke entuziazmuar të pranishmit në stadium. Me gjithë përpjekjet e të dyja skuadrave për të shënuar golin fitores nuk pati ndryshim tjetër rezultatit. Skuadra e Josës ndalet pas dy fitoreve radhazi, por ka edhe një ndeshje të prapambetur për të luajtur, atë të javës së parë me Gjilanin.
Takimi tjetër i kësaj të marte, Drenica-Gjilani u mbyll pa gola. Ky është barazimi i dytë në shtëpi për ekipin nga Skënderaj me të njëjtin rezultat 0-0. Të mërkurën luhen katër takimet e mbetura: Drita-Llapi, Ferizaj-Feronikeli, Flamurtari-Liria dhe KEK-u-Trepca 89’.



