Barazimi “trazon” Tiranën, a do të ndryshojë formacioni ndaj Kukësit?
Motoja në futboll është, “skuadra që fiton nuk ndryshohet”, por pikëpyetja te Tirana është, a mund të ndryshohet skuadra që barazon? Vendimi i përket Egbo, edhe pse ndoshta në mos nën presion nga deklarata e Halilit në lidhje me zëvendësimet pas sfidës me Skënderbeun, të paktën i sikletosur nga dalja publike e numrit 1.
Ishte një barazim që erdhi pas 9 fitoresh radhazi mes Kupës e kampionatit, dhe jo vetëm te Tirana, por te çdo skuadër tjetër në Europë do të firmosnin pa hezitim për një ndalesë pas një ecurie të tillë, e megjithatë çfarë duhet të bëjë tekniku i bardhebluve.
Egbo gjendet para një udhëkryqi vërtet të rëndësishëm të sezonit,pasi në futboll gjërat ndryshojnë shumë shpejt dhe ndeshjet me Kukësin dhe Partizanin vlejnë me siguri një copëz të mirë titulli.
“Çfarë bëri Egbo te Tirana”, shumëkush thotë ndoshta jo pa ironi, por në fakt ish portieri thjesht vendosi “kishën në qendër të fshatit”, më shumë qetësi, gjithsecili në rolin e tij, pa shumë eksperimente që kanë ndikuar në të kaluarën.
Të gjithë faktorë që vihen në dyshim pikërisht para sfidave më të rëndësishme, qetësi në mos e prishur, e trazuar, dhe ndoshta një shtysë për të ndryshuar, në fund vendos vetë trajneri, që në këto 10 ndeshje që ka drejtuar bardheblutë, ka treguar se di të marrë vendimet e duhura.
Është ai që ndjek çdo ditë lojtarët në stërvitje dhe po ashtu studion karakteristikat e çdo kundërshtari, edhe pse nga jashtë pyetjes nëse a mund të ndryshohet një skuadër që barazon pas 9 fitoresh, duket e lehtë për t’i dhënë një përgjigje.



