Barazoi me Teutën, Partizani largon Starovën, Dalipi trajner
Vetëm katër muaj. Kaq zgjati aventura e Sulejman Starovës në rikthimin e shtatë në krye të stolit të Partizanit. Vendimi i drejtuesve të klubit erdhi menjëherë pas ndeshjes së barazuar 1-1 në trasfertën me Teutën, ku të kuqtë u befasuan nga goli i portierit Moçka pasi edhe shtesa kishte përfunduar.
Pas barazimit 1–1 të arritur në Durrës ndaj Teutës bordi drejtues i klubit tw Partizanit zhvilloi mbrëmjen e së dielës një mbledhje urgjente. Duke analizuar situatën aktuale dhe objektivat që ekipi synon për pjesën e mbetur të sezonit, bordi ka kërkuar dorëheqjen e Sulejman Starovës nga drejtimi i ekipit, vendim i cili është pranuar edhe nga trajneri Starova. Në vijim të sezonit futbollistik drejtimin e skuadrës do ta marrë Klevis Dalipi. Një ndryshim i tillë është konsideruar i domosdoshëm nga drejtuesit në kuadër të strategjisë së rinovimit dhe për t’i dhënë një impuls pozitiv lojës dhe rezultateve të skuadrës. Klubi falënderon trajnerin Sulejman Starova për kontributin e dhënë gjatë këtyre viteve në klub dhe në drejtimin e skuadrës.

Për Starovën përfundon në këtë mënyrë aventura e radhës në drejtimin e Partizanit, ku për të tretin vit me radhë u emërua gjatë kampionatit, duke zëvendësuar një trajner italian. Kjo ndodhi fillimisht me Agostinellin, më pas Sormanin dhe nëntorin e kaluar me Mark Iulianon. Gjatë 4 muajve në krye të stolit të Partizanit, në 14 javë të luajtura në kampionat Starova koleksionoi 6 fitore, 3 barazime dhe 5 humbje, ndërsa skuadra u eliminua edhe në çerekfinalet e Kupës, trofe që u kthye në objektivin sezonal të klubit.
Emërimi i Klevis Dalipit, që e ka drejtuar ekipin në katër ndeshje gjatë shkurtit të kaluar, ku regjistroi dy fitore, një barazim dhe një humbje cilësohet një implus i ri, me të kuqtë që mbeten në zonën e ulët të klasifikimit, megjithatë prej diferencës së pikëve zona europiane duket mëse e arritshme.



