Futboll

Barça e Atletico me mendjen te Championsi, Milani kërkon fitoren e pestë radhazi

E shtuna në Supersport vjen me disa takime interesante, pasi në orën 18:30 në Spanjë do të luhet takimi Barcelona-Rayo Vallecano. Avantazhi i skuadrës së Ernesto Valverdes ka shkuar në shtatë pikë kundrejt Atletikos së Madridit dhe plot 12 ndaj rivalëve të përjetshëm të Realit të Madridit.

Ndeshja pritet me interes, sepse trajneri nga Extremadura me shumë gjasa do të bëjë ndryshime në formacion, për shkak të sfidës shumë të rëndësishme me Lionin mesjavën e ardhshme në Champions. Në fazën e parë pa Messi-n, në fushë në Vallecas, Barca pati nevojë për dy gola në tre minutat e fundit nga binomi Suarez-Dembele për të marrë 3 pikët, sidoqoftë këtë herë nevojitet kujdes, sepse me pesë humbjet, radhazi ekipi i Rayo-s ka rrëshqitur drejt e në vendin e parafundit të Ligës Spanjolle.

Më herët në orën 16:15 Atletiko e Madridit do të presë në “Wanda Metropolitana” një kundërshtar si Leganes, që vjen pikërisht nga rrethinat e kryeqytetit, për më tepër futbollistët e Diego Simeones natyrshëm e kanë mendjen te dueli i mesjavës në Champions ndaj Juventusit, ku “los colchoneros” duhet të mbrojnë në Torino epërsinë e dy golave.

Në Itali, Milani ka përfituar në maksimum nga kalendari dhe në orën 20:30 kuqezinjtë kanë mundësinë për të regjistruar edhe fitoren e pestë rresht, teksa do të vizitojnë në stadiumin “Bentegodi”, Chievo-n. Në Verona vendasit po bëhen gati për të luajtur sezonin e ardhshëm në Serinë B, ndërkaq miqtë që kanë pësuar vetëm 2 gola në 7 javët e fundit në kampionatin italian, kërkojnë patjetër të shkojnë në derbin e javës së ardhshme, përpara Interit me pikë.

Më herët në orën 18:00 në Serinë A do të luhet gjithashtu takimi tjetër Parma-Genoa, ndërkaq në Holandë kampionët në fuqi të PSV, ndonëse pa Lozanon, pritet të përmirësojnë ndjeshëm golaverazhin, duke patur parasysh që në orën 19:45 përballë tyre do të jetë Breda e vendit të fundit.

Në Francë ora 17:00 rezervon duelin interesant Strasbourg-Lyon, sidoqoftë në Supersport si gjithmonë do të ketë hapësirë edhe për kampionatin gjerman, që ofron fillimisht në orën 18:30 duelin Bayern-Wolfsburg dhe më pas në orën 18:30 sfidën Mainz-Monchengladbach, ndeshje të cilat gjithë të pasionuarit e Bundesligës kanë mundësi për t’i ndjekur si zakonisht nëpërmjet Kanalit Eurosport 2.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency