La Liga

Barca rikthehet te spektakli, mposht dhe parakalon Atleticon e Madridit

Barcelona merr fitoren e tretë në katër ndeshje të luajtura në vitin 2022, teksa pasditen e sotme ia doli të triumfojë 4-2 në një përballje mjaft spektakolare ndaj Atleticos së Madridit në “Camp Nou”.

Krye-ndeshja e javës në kampionatin spanjoll nuk i zhgënjeu aspak pritshmëritë, teksa për 90 minuta tifozët në shkallët e stadiumit, por edhe ata nga ekrani, shijuan një sfidë spektakolare dhe plot gola.

Gjithçka nisi keq për vendasit, që pësuan gol në minutën e 8’, teksa Suarez shërbeu për Carrasco, që më pas mposhti portierin Ter Stegen, për t’i dhënë avantazhin Atleticos, megjithatë vetëm për dy minuta.

Kjo pasi në minutën e 10’ ishte Jordi Alba që nxori nga repertori një goditje fantastike dhe shënoi padyshim një nga golat më të bukur të karrierës së tij, duke dërguar topin në trekëndëshin e portës së Oblak, që nuk pati asnjë mundësi reagimi.

Më pas gjithçka foli për skuadrën e Xavit, që dominoi totalisht deri në fund të pjesës së parë, duke shënuar edhe dy herë të tjera, fillimisht me Gavin golin e avantazhit dhe më pas të tretin me mbrojtësin Araujo.

Edhe pjesa e dytë nisi vrullshëm për Barcelonën, që në të 49-ën gjeti golin e katërt me Dani Alves, megjithatë më pas ishte Atletico që provoi reagimin dhe shënoi me Luis Suarez, në minutën e 58’.

Sfida për katalanët u komplikua nga VAR-i në minutën e 69’, kur arbitri i tregoi kartonin e kuq brazilianit Dani Alves dhe la Barcelonën me 10 futbollistë, megjithatë deri në fund nuk pati asgjë për t’u shënuar dhe Barcelona ia doli të festojë një sukses mjaft të rëndësishëm.

Me tre pikët e marra pasditen e sotme, skuadra e drejtuar nga Xavi ngjitet në vendin e katërt me 38 pikë, ndërsa tekniku katalan shijon performancën mjaft të mirë të lojtarëve të afruar rishtazi si Adama Traore, Ferran Torres e Aubameyang.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency