Barça sfidon Valladolidin, fitorja detyrim, luhet edhe derbi i vogël i Madridit!
Periudha më e ngjeshur e vitit fillon të lërë pasoja edhe në sezonin e Barcelonës dhe befas pas tetë fitoreve rresht në kampionat skuadra e Ernesto Valverdes nuk është më në gjendje për të marrë dot 3 pikët. Barazimet me Valencian dhe Athletic Bilbaon e kanë reduktuar avantazhin e kampionëve në fuqi në vetëm 6 pikë, sidoqoftë tani gjërat janë ndryshe, sepse pas triumfit në derbi në vendin e dytë nuk është më Atletico e Simeones por Reali i Madridit, madje ekipi i Santiago Solarit nxorri në pah edhe problemet e para të skuadrës blaugrana, teksa shtrëngoi në El Clasico formacionin blaugrana në një barazim me gola, pikërisht në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Mbretit. Këto kohë kalendari është i pamëshirshëm për klubin nga Katalunja, sepse pas Valladolidit në Primera Division Barcelonën e presin plot katër ndeshje radhazi jashtë fushe, duke filluar nga Lyoni në Champions të martën në mbrëmje, Sevilla të shtunën e ardhshme në Andaluzi si dhe dy përballjet e njëpasnjëshme javën tjetër në Bernabeu pikërisht me Realin e Madridit, respektivisht në Kupë dhe kampionat.
Natyrisht Champions League-a përbën objektivin kryesor për Barçën, që për hir të së vërtetës është ngopur me ligën spanjolle, teksa e ka fituar 7 herë titullin në Primera Division gjatë dekadës së fundit, gjithsesi të shtunën në mbrëmje në orën 20:45 në Camp Nou 3 pikët janë detyrim, përndryshe distanca me skuadrat madrilene do të shkurtohej akoma më shumë. Mbetet për t’u parë formacioni që do të përzgjedhë trajneri Valverde, për më tepër ndaj një kundërshtari që zbret në Camp Nou plot oreks, pas një periudhe të errët me vetëm 6 pikë të grumbulluara në 8 sfidat e fundit në kampionat, madje edhe në fazën e parë ekipi i Sergio-s u mund thjesht nga një gol i vetëm i shënuar nga Ousmane Dembele, duke i vënë vazhdimisht në vështirësi kampionët në fuqi. Më herët në orën 16:15 në kryeqytet do të mbahet derbi i vogël i Madridit Rayo Vallecano-Atletico. Miqtë zbresin në Vallecas pas humbjeve radhazi në Primera Division me Betisin dhe Realin, por sigurisht vëmendja në mënyrë të pashmangshme është për impenjimin e mesjavës në Wanda Metropolitano, përballë Juventusit në Champions.



