La Liga

Barcelona e “injoroi” kërkesën e tij, Alves: Luani mbetet luan, edhe në moshën 39-vjeçare!

I afruar në merkaton dimërore, Dani Alves regjistroi 16 paraqitje në eksperiencën e dytë me Barcelonën. Shifra në dukje të kënaqshme për një mbrojtës krahu aq më tepër në moshën 39-vjeçare, megjithatë drejtuesit e Barcelonës vendosën të mos i zgjasin kontratën duke injoruar kërkesën e brazilianit për një shtesë gjashtëmujore e cila do ta lejonte Alves të ishte në formën e duhur për Botërorin e Katarit.

Gjithsesi, vendimi nuk kthehet më pas dhe nëpërmjet rrjeteve sociale, Alves i ka dhënë lamtumirën Barcelonës ndërsa theksoi se ai mbetet një “Luan” edhe pse në moshën 39-vjeçare.

“Erdhi koha për të dhënë lamtumirën, janë më shumë se tetë vite që unë i dedikohem këtyre ngjyrave. Por, siç ndodh në jetë vitet shkojnë dhe në fund ecim në rrugë të ndryshme dhe historia shkruhet nga vende të tjera. Falenderoj të gjithë ata që punuan për rikthimin tim, pa harruar tifozët të cilët sigurojnë që gjithçka për futbollistët të jetë e përkryer.

Falenderoj edhe stafin e klubit, shpresoj që të mos ju mungojë shumë çmenduria ime. Shpresoj që ata që do të qëndrojnë në klub, të bëjnë histori. Këtu kam fituar 23 tituj, dy herë tripletën dhe një herë tjetër mbylla sezonin me gjashtë trofe. Mbyllet një cikël shumë i bukur dhe nis një tjetër edhe më shumë sfidues. Dhe bota të mos e harrojë kurrë; Edhe nëse një luan është 39-vjeç, ai sërish mbetet një luan i çmendur përgjithmonë”, shkruan Alves.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency