Barcelona ka gati goditjen e radhës, arrin akordin me Moratën
Drejtuesit e Barcelonës janë duke lëvizur me shpejtësi në këtë merkato janari për të përforcuar skuadrën me elementë cilësorë në mënyrë që skuadra e drejtuar nga trajneri Xavi Hernandez të rikthehet në “shinat e duhura”. Kështu, pas zyrtarizimit të Ferran Torres, blaugranat janë hedhur në sulm për Alvaro Moratën.
Lamtumira e papritur e Sergio Agueros për shkak të problemeve kardiake, ka lënë hapësira në ofensivën e spanjollëve, të cilët kanë piketuar sulmuesin e Juventus. Prej disa ditësh, palët kanë qenë në kontakt dhe sipas informacioneve me të fundit nga Italia, Barcelona dhe Morata kanë gjetur gjuhën e përbashkët duke arritur akordin për një kontratë 18-mujore.
Spanjolli nuk ndihet i vlerësuar në Torino prej trajnerit Massimiliano Allegri dhe në këtë formë ka zgjedhur të ndryshojë ambient. Megjithatë, fjala e fundit tashmë i takon Juventusit që nga ana e saj kërkon të përfitojë ekonomikisht dhe nuk është e interesuar për një shkëmbim me Depay.
Sakaq, vlen të theksohet se në këtë mes është e përfshirë edhe Atletico Madrid pasi janë ata që zotërojnë kartonin e Moratës, i cili është në huazim te italianët të cilët kanë paguar 20 milionë euro për ta mbajtur.



