Barcelona nuk pret gjatë, shkarkon edhe Eric Abidalin
Pas trajnerit Quique Setien, ishte radha e tij. Eric Abidal nuk është më sekretari teknik i Barcelonës. Drejtuesit e klubit “blaugrana” dhe francezi kanë arritur një marrëveshje për largimin e këtij të fundit. Vendimi është pjesë e ristrukturimit që skuadra katalane po merr përsipër në fushën e saj sportive pas një sezoni katastrofik. Abidal është drejtuesi i dytë i lartë (pas trajnerit) që paguan turpërimin nga Bayerni, që ishte pika kulmore e një sezoni të dështuar.
Deklarata për shkarkimin e Abidalit:
“FC Barcelona dhe Éric Abidal kanë arritur marrëveshjen për përfundimin e kontratës që bashkoi të dy palët. Klubi shpreh falënderimet e tij për Éric Abidalin për profesionalizmin, përkushtimin që ai gjithmonë ka treguar ndaj Barçës. I urojmë fat dhe sukses në të ardhmen.”
Abidal ishte vënë në shënjestër që pas krizës që shaktoi me Leo Messin muaj më parë. Deklaratave të francezit, pas eliminimit nga Kupa e Mbretit, iu përgjigj ashpër argjentinasi. Bartomeu e shpëtoi atë në atë moment, por figura e tij u prek shumë. Fundi i sezonit, pa asnjë titull dhe me turpërimin e Lisbonës, ka mbushur kupën, pavarësisht se Barça në deklaratën e sa dje aludoi se “sekretariati aktual teknik” do të kujdeset për “ristrukturimin e gjerë” të Barcelonës.
Barcelona po bisedon me Ronald Koemanin, me të cilin po vendoset mbi detajet e fundit të kontratës. Bisedimet me trajnerin holandez janë të avancuara dhe marrëveshja do të jetë zyrtare për çështje orësh.



