Barcelona për fitoren e radhës me Villarrealin, Atletico pret Gironan
Kampionati spanjoll do të luajë këtë mesjavë ndeshjet e javës së 30-të dhe Barcelona kryesuese do të vizitojë në orën 21:30, në Komunitetin Valencian, skuadrën e Villarrealit. Për kampionët në fuqi titulli i 26-të është thjesht çështje kohe dhe natyrisht ekipi katalan do të bëjë gjithçka për të regjistruar fitoren e shtatë radhazi në kampionat.
“Nëndetësja e Verdhë”, në krahun tjetër, po fillon të dalë në sipërfaqe, teksa për momentin është jashtë zonës së rrezikshme. Barça numëron plot 10 pikë avantazh kundrejt Atleticos së Diego Simeones, ndërsa skuadra e drejtuar nga Javier Calleja, falë 2 fitoreve në tre ndeshjet e fundit pozicionohet në vendin e katërt nga fundi. Të shtunën e ardhshme ekipi i Ernesto Valverdes do të presë në “Camp Nou” “Los Colchoneros”, pra rivalët kryesorë në luftën për titull, ndërsa javën tjetër, siç dihet, Barcelona do të masë forcat në “Old Trafford” në Champions me “Djajtë e Kuq” të Manchester United.
Është e kuptueshme që “kupa me veshë të mëdhenj” përbën edhe trofeun më të lakmuar për këtë sezon në gjithë ambientin “blaugrana”, sidoqoftë Barça vazhdon të jetë në lojë për të gjithë trofetë e mundshëm, duke patur parasysh edhe finalen e Kupës së Mbretit, që do të mbahet më 25 maj në stadiumin e Betisit, “Benito Villamarin”, përballë Valencias.
Përballjet ndërmjet këtyre dy klubeve kanë prodhuar shpeshherë gola të shumtë, por sidoqoftë Barcelona nuk njeh asnjë humbje dhe ka dominuar në 20 takimet e fundit mes tyre, periudhë ku Villarreali krenohet thjesht me 5 barazime gjithsej.
Më herët, në orën 19:30, po në Primera Division, do të luhet edhe takimi Atletico Madrid – Girona. Miqtë nga Katalunja kanë grumbulluar 9 pikë në 3 ndeshjet e fundit jashtë fushe. Kurioz është fakti që kjo është vizita e katërt rresht për Girona-n në kryeqytet, ku skuadra e Eusebios ka mundur me radhë kundërshtarë si Real Madridi, Rayo Vallecano e Leganes, gjithsesi një tjetër detaj interesant është se këto dy skuadra do të zbresin në “Wanda Metropolitano” pasi kanë barazuar pesë përballjet e fundit ndërmjet tyre, ku spikat natyrisht edhe sfida e dyfishtë në fazën e 1/8 në Kupën e Spanjës, që kualifikoi Girona-n pas rezultatit të përgjithshëm 4-4.



