Featured

Barcelona “thyen” skuadrën e Muriqit, Xavi “parakalon” Zidane/ Në horizont Guardiola

Barcelonës i mjaftoi në një gol i të zakonshmit Robert Lewandowskit në transfertë ndaj Mallorcas për të marrë tre pikët e radhës në La Liga duke qenë se regjistruan një fitore minimale, 0-1. Por, suksesi ndaj ekipit ku aktivizohet edhe Vedat Muriqi, ka një “shije” speciale për trajnerin e katalanasve, Xavi Hernandes.

Ky i fundit regjistroi ndeshjen e 18-të në transfertë të cilën e mbyll pa humbje duke kaluar Zinedine Zidane në kohën e Real Madrid me francezin që u ndal në kuotën e 17 takimeve pa humbje në vitin e tij të parë si trajner i madrilenëve. Nga 18 ndeshje në transfertë pa humbje, trajneri Xavi dhe Barcelona kanë regjistruar 13 fitore dhe 5 barazime duke konfirmuar se blaugranat janë në rrugën e duhur për t’u rikthyer te suksesi dhe trofetë pas një periudhe të vështirë.

Ky rekord nisi sezonin e kaluar me një fitore 1-3 ndaj Villareal dhe më pas vijoi me fitore si ajo ndaj Real Madrid (0-4), Valencia (1-4), Sevilla (1-4) apo edhe Real Sociedad (1-4). Ndërkaq, Xavi vihet në ndjekje të rekordit të Pep Guardiolës i cili regjistroi plot 23 ndeshje si i pamposhtur në transfertë. Kujtojmë se hera e fundit që Barcelona humbiste një sfidë larg Camp Nou-t ishte më datë 27 tetor të vitit 2021, kur Rayo Vallecano fitonte minimalisht 1-0 falë një goli të Radamel Falcao, disfatë e cila i kushtoi stolin Ronald Kuman.

Nën drejtimin e Xavit, i cili ende nuk e ka mbushur një vit të plotë në krye të skuadrës, çdo gjë po funksionon për mrekulli dhe skuadra di si të marrë maksimumin edhe kur nuk është në ditën e saj më të mirë teksa spanjollët kalojnë tanimë vëmendjen tek sfida e Champions League ndaj Inter pasi edhe Europa është një objektiv për Barçën.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency