Bardhi: Te Partizani nuk ka presion, Iuliano nuk i njihte skuadrat
Jurgen Bardhi u zgjodh njeriu i ndeshjes nga Supersport në sfidën mes Kukësit dhe Partizanit. Sulmuesi i talentuar i të kuqëve, shënoi një gol dhe dha një asist në suksesin e Partizanit. Bardhi e pranon se Starova ndryshe nga Iuliano di t’i marrë më të mirën skuadrës.
“Nuk ka ndryshuar asgjë, vetëm po vijnë rezultatet. Trajneri Starova e njeh më mirë kampionatin dhe i jep një frymë tjetër ekipit. Ndërsa Iuliano mundohej por nuk i njihte skuadrat”.
Bardhi për emisionin “Gol pas Goli” foli edhe për pozicionin e tij të preferuar në fushë, ndërsa mohoi zërat se te Partizani drejtuesit po ushtrojnë presion.
“Më pëlqen të luaj në sulm, por më tepër më pëlqen të luaj prapa sulmuesit, pasi aty ndihem edhe më mirë.Presion nuk ka fare te Partizani. Në mbledhje na u tha që të ecim përpara, të ngremë skuadrën aty ku duhet”.



