Bashkitë në shkelje të ligjit, futbolli duhet të çlirohet nga “vargonjtë” e politikës
Ligji ka parashikuar, pa asnjë ekuivok, që nga 1 korriku 2021, të gjitha bashkitë do të duhej të kishin parashikuar, organizuar dhe trasferuar të gjitha përgjegjësitë mbi klubet dhe shoqatat sportive. Në fakt, në një vëzhgim të thjeshtë janë një shumicë e 61 bashkive në vend, që janë edhe sot e kësaj dite në shkelje flagrante të Ligjit, teksa e gjitha koha e vënë në dispozicion nuk është shfrytëzuar për të përpiluar dosje të detajuara dhe nuk kanë promovuar për të afruar tek klubet dhe shoqatat sportive përfaqësues të bisnesit.
Për të ilustruar mjafton të kujtojmë procesin e ndjekur nga Bashkia e Shkodrës për shitjen e 100% të aksioneve të KF Vllaznisë tek presidenti aktual Alban Xhaferri. Ndërkohë, që kanë mbetur në vendnumëro procedurat për privatizimin e Flamurtarit nga Bashkia Vlorë. Pjesë e këtij procesi do të duhej të ishin edhe bashkitë që zotërojnë një pjesë të aksioneve të klubeve të futbollit dhe të tilla kanë një shumicë e qeverive vendore, ku mes tyre dallon në shkelje të ligjit edhe Bashkia Tiranë, që nuk është shkëputur nga zotërimi i 34% të aksioneve të klubit bardheblu.
Një situatë e tillë e fotografuar ditën e sotme, është konfirmimi më i mirë i mungesës së përgjegjësisë minimale nga titullarët e këtyre bashkive në raport me ligjin, në stërzgjatjen e tranzicionit ligjor dhe organizativ të klubeve dhe pamundësinë e një zhvillimi të qëndrueshëm.
Në këto kushte, me një status juridik në shkelje të ligjit, me financime minimale ose në shumë raste zero financim dhe pa një kuadër ligjor favorizues për sponsorizime, duhet ta konsiderojmë fat mbijetesën dhe vazhdimësinë e shumicës se klubeve dhe shoqatave respektive.
Gjetja e një zgjidhjeje për këtë problematike do të duhej të ishte në listën e prioriteteve të secilës prej këtyre qeverive vendore, por, së fundmi, duke shfrytëzuar mbajtjen peng të klubeve, edhe përtej limitit kohor 1 korrik 2021, një pjesë e drejtuesve të bashkive, kryesuar nga Erion Veliaj i Tiranës, po ushtrojnë presion në procesin zgjedhor për organet e reja drejtuese në FSHF.
Ilustrimi më i qartë është anatemimi i asambleve të përgjithshme rajonale, ndonëse si aksionar jashtë afateve ligjore, në minorancë me administratorët aktualë dhe me një bilanc negativ për financimin dhe mbështetjen e futbollit në territorin e tyre.
Eksperiencat më të mira në rajon dhe në kontinent na mësojnë se një politikë dashamirëse me sportin në përgjithësi dhe futbollin në veçanti kanë prodhuar rezultate të shkëlqyera, jo thjesht në fushën e lojës, por mbi të gjitha në edukim, në financa dhe imazh.
Shqipëria për të ndjekur këtë trend do të duhet të kapërcejë pengesa të shumta, pikësëpari çlirimin nga vargonjtë e politikës, të cilët e mbajnë mbërthyer edhe përtej afatit të parashikuar ligjor, 1 korriku 2021



