Batuta e radhës, Klopp: Do dehem me një birrë! City? Ekipi më i mirë në planet
Liverpooli i dha një shkelm të fortë momentit të vështirë që po kalonte. “The Reds” po vuajnë në Premier League, aty ku kanë grumbulluar vetëm dhjetë pikë në tetë javët e para, por djemtë e Jurgen Klopp shkatërruan Rangers 1-7 në “Ibrox Stadium”.
Fitorja e thellë në Champions pritet të sjellë kthesën edhe në kampionatin anglez, ndërkohë që Liverpooli ka nevojë për një pikë në dy takimet e mbetura ndaj Ajaxit dhe Napolit për të siguruar kualifikimin në raundin e 1/8-ve.
Kjo ishte fitorja e parë sezonale në transfertë për ekipin anglez (e fundit më 17 maj në Premier League, 1-2 ndaj Southampton) , teksa gjermani Klopp nuk e kurseu batutën në prononcimin e dhënë pas ndeshjes.
“Kjo fitore sigurisht që ndryshon qasjen tonë përpara sfidës së fundjavës ndaj Manchester City, por e di mirë se do të jetë një ndeshje e ndryshme nga kjo ndaj Rangers. Në ‘Anfield’ do të zbarkojë ekipi më i fortë në botë për momentin. E kemi të qartë se nuk do të jetë e lehtë ndaj tyre.
Duhet të punojmë fort dhe të shfrytëzojmë humorin e mirë që kemi pas kësaj fitoreje. Rigjetëm fitoren në transfertë? Zakonisht pimë një birrë pas ndeshjeve në transfertë. U bë kohë e gjatë që nuk ndodh, kështu që këtë herë mendoj se do të dehem me një shishe”, deklaroi Klopp.
Liverpooli pret Manchester City në mitikun “Anfield” të dielën (16 tetor). Dueli i zjarrtë fillon prej orës 17:30 dhe do transmetohet në SuperSport. Vendasit do synojnë maksimumin e pikëve për të mos humbur edhe më shumë terren me vendet e para.



