Bayern blindon një tjetër talent, i zgjat kontratën deri më 2025-ën
Vitet e fundit Bayerni i Mynhut ka humbur shumë futbollistë me parametra zero, përfshi mbrojtësit Boateng e Alaba këtë verë, ndërsa në fund të sezonit mund të shohë t’i largohet edhe Niclas Sule, që nuk ka rinovuar kontratën dhe nuk ka ndërmend ta bëjë as në muajit e ardhshëm.
Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit bavarezë po lëvizin për të blinduar me kontrata afatgjata futbollistët e talentuar dhe radhën e ka pasur kroati Josip Stanisic, që është lancuar pikërisht këtë sezon nga Julian Nagelsmann.
Mbrojtësi anësor ka luajtur disa ndeshje me bavarezët dhe ka dëshmuar se e pret një e ardhme e ndritur, ndaj drejtuesit e klubit I kanë zgjatur kontratën deri në verën e 2025-ës, duke e blinduar për 4 sezonet e ardhshme.
“Jemi shumë të lumtur që kemi arritur të lancojmë në skuadrën e parë një tjetër talent nga Bayern Campus. Josip Stanisic ia ka dalë të përshtatet shumë shpejt dhe të shndërrohet në një futbollist të vlefshëm për të tashmen e mbi të gjitha për të ardhmen. Pikërisht për këtë arsye, ne I kemi zgjatur bashkëpunimin deri në verën e 2025-ës”, thonë ndër të tjera në komunikatën zyrtare drejtuesit e Bayernit.



