Bayern shpenzoi 42 milionë për të zëvendësuar Alabën me “një mish të huaj”
Humbja e Bayernit ndaj Bochumit (4-2) ka ngritur alarmin në Mynih. Fokusi i kritikave ishte te mbrojtja ose më saktë te njeriu që u ble për të mbushur boshllëkun e krijuar nga largimi i David Alabas drejt Realit të Madridit. Në Gjermani shtrojnë pyetjen nëse Upamecano vlente vërtet 42.5 milionë euro. Bayerni e pagoi klauzolën e largimit të futbollistit nga Leipzigu edhe me synimin për të dobësuar një konkurrent.
Upamecano nuk e nisi mirë te Bayerni, ka bërë disa gabime, të cilat i përsëriti edhe ndaj Bochumit. Një autoritet si Lothar Matthaus ka akuzuar ashpër këtë nënshkrimin që në parim duhet të bënte që të harrohej Alaba.
“Mendoj se disa lojtarë nuk e kanë arritur ende atë që pritet prej tyre në Mynih, veçanërisht në raportin çmim-performancë. Po flasim për Upamecanon. Ai ende duket se po lëkundet pak, është një trup i huaj te Bayerni. Sigurisht që është problem edhe për shokët e skuadrës. Nniveli i tij nuk u jep siguri lojtarëve që e rrethojnë”, – thotë legjenda e Bayernit.
Klubi humbi “peshat e rënda” si Alaba dhe Boateng dhe po kërkon një lider në qendër të mbrojtjes, por Nagelsmann ende nuk e ka në dispozicion. Sot, më 14 shkurt, bëhet pikërisht një vit që kur Bayern njoftoi se do të bënte efektive klauzolën e qendërmbrojtësit francez në fund të sezonit.



