Bayerni po monitoron Haalandin, por kryeredaktori i “Bild”-it i këshillon të kundërtën
Deklaratat e fundit të të Robert Lewandowskit mbi të ardhmen e tij (nuk ka nënshkruar ende zgjatjen e kontratës me bavarezët) bëjnë që Bayerni i Mynihut të jetë i vëmendshëm ndaj merkatos dhe opsioneve që ofrohen në treg për përforcimin e fazës sulmuese. Edhe pse drejtuesit e kampionëve në fuqi të Bundesligës e thonë publikisht se për ta vlen vetëm sulmuesi polak dhe duan që ai të qëndrojë, Tobi Altschaffl, kryeredaktor i “Bild”, siguron se Bayern po e “monitoron” Haalandin.
Gjithsesi, përveç ofrimit të këtij informacionit, ai beson se do të ishte më mirë për Bayern të mbështetej te Lewandowski sesa të vinte bast për Haaland.
“Unë nuk mendoj se nënshkrimi i Haalandit është një ide e mirë. Do të ishte shumë i shtrenjtë dhe Bayernit do t’i duhet të lejojë largimin e një prej lojtarëve më të mirë. Kur sheh sa ndeshje ka humbur Haaland dhe sa në formë është Lewandowski, pavarësisht moshës së tij, e kupton se Bayerni është më mirë me Lewan,” – shkruan Tobi Altschaffl.



