Bayerni zyrtarizon blerjen e talentit holandez, e “blindon” për pesë vjet
Bayerni i Munihut ka zyrtarizuar blerjen e talentit holandez të Ajaxit të Amsterdamit Ryan Gravenberch. Kampionët e Gjermanisë mposhtën konkurrencën nga disa prej rivalëve të tyre më të mëdhenj evropianë për të siguruar ndërkombëtarin holandez. 20-vjeçari ka nënshkruar marrëveshje pesëvjeçare me bavarezët, pra me kohëzgjatje deri më 30 qershor 2027.
“Ryan do t’i japë shumë ekipit tonë. Ai është një nga lojtarët e rinj më të mirë të Evropës, ka teknikë të shkëlqyer, gjithmonë gjen zgjidhje në hapësira të ngushta, është shumë dinamik dhe kërcënues para portës”, – tha drejtori sportive i Bayernit, Hasan Salihamidzic. – “Fakti që ai ka zgjedhur Bayernin tregon se është i bindur nga klubi ynë dhe shanset që do të ketë me ne. Ne i duam lojtarët me atë lloj mentaliteti. Ne besojmë fuqishëm se do të kemi shumë sukses me të.”



