Bazeli i Arjan Peços shkëlqen në Championsin e të rinjëve, mposht dhe Man.United
Arjan Peço është një ndër trajnerët më të sukseshëm shqiptarë të ekipeve të moshave dhe këtë e ka treguar jo vetëm me trofetë e fituar në Zvicër me Bazelin por po e shfaq dhe në arenën ndërkombëtare, ku së fundmi 19 vjeçarët e Bazelit të drejtuar prej tij kanë arritur të mundin dhe Manchester United. Një sukses i rëndësishëm por jo i izoluar për skuadrën e drejtuar nga ish-futbollisti i Partizanit që aktualisht kryeson grupin në Champions të kësaj grupmoshe duke lënë pas “Djajtë e Kuq” por dhe Benficën dhe ka siguruar kualifikimin për në fazën tjetër të këtij kompeticioni. Në ndeshjen e fundit zviceranët arritën të fitojnë 2-1 ndaj skuadrës angleze për më tepër duke patur dhe katër lojtarë titullarë me origjinë shqiptare nga minuta e parë si Pukaj, Pepsi, Lokaj dhe Bislimi ndërsa në pjesën e dytë hyri si zëvendësues dhe Rashiti. Golat për skuadrën e Bazelit u shënuan në pjesën e dytë ku fillimisht ishte Pululu që me një asist të Lokajt i dha epërsinë zviceranëve ndërsa 7 minuta më pas Kaiser shndërroi në gol një 11-metërsh përpara se United të shkurtonte diferencën me anë të Warren. Aktualisht Bazel kryeson grupin e tij pas pesë ndeshjeve dhe ka siguruar një vend në raundin pasardhës ndërsa takimi i fundit i ekipit të Peços me Benficën do të përcaktojë nëse zviceranët do ta mbyllin si kryesues Grupin A.



