Befasohet në shtesa, Prishtina bie në kryeqytet dhe rrezikon shumë
Është luajtur java e parafundit në BKT Superligën e Kosovës. Prishtina u mposht 0-1 nga Drita, humbje që mund të dërgojë ekipin kryeqytetas në finalen e “play-out”.
Marko Simonovski ndëshkoi vendasit në minutat shtesë, humbje që u shfrytëzua nga Drenica dhe Malisheva, dy ekipet që po garojnë me Prishtinën dhe Dukagjinin për të shmangur vendin e tetë.

Kuqezinjtë fituan 3-1 përballë Ballkanit. Dellova kaloi kampionët në fuqi në minutat e para të pjesës së dytë, por Drenica përmbysi gjithçka falë golave të Abazit, Hamitit dhe Ukës.
Malisheva mori tre pikë jetike në Gjilan përballë “Skifterave” vendas, duel që e fitoi 3-4. Java e fundit sjell “finalen” me Dukagjinin. Ekipi nga Klina bëri detyrën dhe triumfoi 3-2 përballë Llapit.
Skuadra e Batatinës ka siguruar Europën dhe është fokusuar te finalja e Kupës ndaj Dritës. Ndërkohë, Ulpiana “luajti tenis” përballë Feronikelit të vendit të fundit, ndeshje që e fitoi lehtësisht 6-2.




