Begeja: Arbitri ra pre e presionit në Kukës
Teuta zhvilloi një paraqitje të mirë në transfertën e vështirë ndaj Kukësit, por në fund doli ‘duarbosh’, pasi pa të mundej 3-2, rezultat që ka lënë të zhgënjyer trajneri Begeja.
E nisët mirë, por në fund dolët pa pikë nga kjo transfertë. Sa keqardhje ka në këtë humbje?
Begeja: E nisëm ndeshjen mirë dhe në përgjithësi luajtëm mirë, pasi skuadra kishte dëshirë për të marrë pikë. Nuk dua të komentoj arbitrin, por favorizoi në momente të caktuara Kukësin. Më shumë peshoi ai gol i pësuar në sekondat e fundit të pjesës së parë.
Te goli i pësuar, u duk se pati një rreshtim të gabuar. Pse ndodhi kjo?
Begeja: Në fakt ai gol na prishi ecurinë. Aty në zonë kishte shumë përplasje e mundje, por për mënyrën sesi Kukësi po ushtronte presion, mendoj se goli do të vinte në një moment.
Ku mendon se arbitri, apo Kukësi, i hyri në hak Teutës?
Begeja: Kukësi është shquar për mundje në fakt, se ka nxjerrë kampionë, por në futboll është ndryshe. Në çdo dyluftim, arbitri vendoste në favor të vendasve dhe Kukësi në zonë dyluftonte shumë ashpër dhe kërkonte me çdo mënyrë golin. Edhe nga ana e tifozërisë vendase, pati shumë irritim, që rriti presionin dhe nuk e kuptova pse.



