Benfica përgatit rikthimin e bujshëm, gati afrimi i disa futbollistëve të njohur
Verë e nxehtë për klubin portugez të Benficës, që është gati të afrojë disa futbollistë mjaft të rëndësishëm për të rikthyer dominimin në futbollin vendas, por edhe për t’u përfaqësuar denjësisht në arenën europiane.
Kështu pasi emëroi në krye të pankinës trajnerin Jorge Jesus, klubi portugez ka mbyllur gjithçka edhe për transferimin e fantazistit brazilian Pedrinho, të cilin e mori nga klubi i Corinthiasit për një shifër prej 20 milionë eurosh.
Megjithatë ëndrra e vërtetë e klubit portugez është që të arrijë të transferojë sulmuesin uruguaian Edinson Cavani, të cilit i ka ofruar një kontratë 3-vjeçare me pagë 8 milionë euro në sezon dhe negociatat janë në fazë të avancuar.
Përveç Cavanit, po negociohet edhe me mbrojtësin belg Jan Vertonghen, të cilit i ka skaduar kontrata me Tottenhamin dhe mund të transferohet në Portugali me parametra zero, nëse i ofrohet një pagë e mirë dhe një projekt interesant.
Në fazë mjaft të avancuar janë negociatat edhe me sulmuesin brazilian Everton Soares, sulmues 24-vjeçar i Gremios, që pasi spikati me Brazilin, ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve europiane.
Megjithatë Benfica ka “djegur” konkurrencën duke ofruar 22 milionë euro dhe duke i lënë Gremios edhe 15% të shumës në rast rishitjeje, ndërsa në Portugali janë të sigurt se këto dytë Everton do të mbërrijë në Lisbonë për të firmosur kontratën.
“Kam lënë Flamengon vetëm sepse më kërkoi Benfica dhe jo për të fituar më shumë para. Presidenti i klubit më telefonoi dhe më bindi që mund të përmirësojë ndjeshëm skuadrën, për të rikuperuar prestigjin ndërkombëtar që Benfica ka pasur ndër vite”, deklaroi trajneri Jorge
Jesus, si për të konfirmuar se klubi portugez po përgatitet për një fushatë të fuqishme afrimesh.



