Benzema magjik, zhvlerëson “yjet” e PSG-së, Reali e City në çerekfinale
Reali i Madridit shuan ëndrrën e PSG-së për të fituar Champions League-n me tre magjikët: Messi, Neymar e Mbappe. Në takimin e kthimit të fazës së 1/8-ave në “Santiago Bernabeu” (sfida e parë ishte vendosur nga goli i Kylian Mbappesë), shpërtheu me tregolësh Karim Benzema, që zhvlerësoi golin e “yllit” francez të shënuar në fundit e pjesës së parë.
Benzema, “mbreti” i mbrëmjes, barazoi shifrat në të 61-tën pas pasimit të marrë nga Vinicius, ndërsa në të 76-tën, i shërbyer me zgjuarsi nga Modric sigloi të dytin, me topin që përfundoi në rrjetë i devijuar nga Marquinhos. Pa u mbushur dy minuta nga kalimi i Realit në avantazh, Benzema përfitoi nga një top i larguar keq nga Marquinhos, për të shënuar të tretin, që çmendi krejt “Bernabeun”.
Reali e kontrolloi lojën në minutat e mbetura, duke siguruar një kualifikim historik, pasi nxori nga Championsi një treshe ëndrrash Neymar-Messi-Mbappe, me talentin francez që pritet të zbarkojë pikërisht në Madrid sezonin e ardhshëm.
U kualifikua në çerekfinale edhe Manchester City, që barazoi 0-0 në “Etihad” kundër Sportingut të Lisbonës, të cilin e kishte mposhtur thellë 5-0 në kryeqytetin portugez.



