Benzema: Në Madrid duan “përmbysjen magjike”, penalltitë nuk më trembin
Pak ditë në parë humbi dy penallti brenda pak minutash në një ndeshje kampionati, ndërsa mbrëmjen e sotme Karim Benzema u rikthye protagonist duke shënuar 2 gola në humbjen 4-3 të Realit ndaj Man. Cityt, njërin prej të cilëve me 11-metërsh.
Një “panenka” mjaft e bukur e sulmuesit francez, që konfirmoi sërish se është futbollisti më i mirë i momentit, teksa pas ndeshjes premtoi se Reali do të kërkojë përmbysjen “magjike” në sfidën e kthimit në “Santiago Bernabeu”.
“Një humbje nuk është aspak pozitive, pasi ne kemi ambicie në këtë edicion, megjithatë gabuam gjithçka në 25 minutat e para. Më pas hymë në ndeshje dhe treguam anën tonë më të mirë, por dihen edhe vlerat e mundërshtarit, që mban shumë topin dhe bën presing lart. Në Madrid do të kërkojmë diçka magjike. Sa u përket penalltive, besoj te vetja ime dhe e tregova edhe me realizimin e sotëm. Vetëm një që nuk gjuan, nuk do humbë asnjëherë penallti”, u shpreh francezi.



