Betejë deri “në frymën e fundit”, Company rikthen City-n në krye me një “silurë”
Kampioni i Premier Leagues do të vendoset fundjavën e ardhshme, që është edhe java e fundit e kampionatit, pasi si Liverpooli, ashtu edhe Manchester City nuk po gabojnë dhe vijojnë të shpresojnë deri në fund për të festuar.
Mbrëmjen e sotme, kampionët në fuqi të Cityt, mposhtën me rezultatin minimal 1-0 Leicesterin, në pengesën e parafundit drejt mbrojtjes së titullit, duke u rikthyer në krye të renditjes, në kuotën e 95 pikëve, një më tepër se Liverpool i vendit të dytë.
Të besuarit e Guardiolës vuajtën jo pak përballë “dhelprave” në “Etihad Stadium”, teksa gjithçka u vendos në minutën e 70’, kur kapiteni i skuadrës, Vincent Company lëshoi një “silurë” nga jashtë zone, për të shënuar golin e vetëm të ndeshjes.
Në javën e fundit, Liverpooli do të presë Wolvesin në “Anfield Road”, ndërsa Manchester City do të udhëtojë në transfertën ndaj Brightonit dhe të dy sfidat do të zhvillohen në orën 16:00.
Nëse City fiton, shpallet automatikisht kampion, pavarësisht çfarë ndodh në “Anfield Road”, ndërsa Liverpooli duhet të fitojë vetë dhe të shpresojë që “citizens” të ndalen.



