E kryer/ “Big Rom” rikthehet tek Interi, detajet e transferimit pas “ok”-it të Zhang
Zhvillim i rëndësishëm në operacionin për kthimin e Romelu Lukakut tek Interi, me marrëveshjen drejt mbylljes në orët e ardhshme. Konfirmimet e fundit vijnë nga “Gazzetta dello Sport”, versioni online.
Takimi mes përfaqësuesve të Interit dhe Chelsea-t, që mendohej se do të ndodhte këtë të hënë, po zhvillohet në këto momente. Gjithçka duket e mbyllur, madje edhe presidenti Steven Zhang ka dhënë miratimin për huazimin e sulmuesit belg sezonin e ardhshëm për 10 milionë euro.
Chelsea do të thotë po, ndërsa me lojtarin marrëveshja ishte gjetur prej kohësh.
Do të jetë goditja e madhe në shtëpinë zikaltër, për të cilën pritet vetëm zyrtarizimi. Ideja e stafit teknik është të krijojë një sulm “tredhëmbësh” me Lautaro Martinezin dhe Paulo Dybalan, ky i fundit një tjetër objektiv i madh i Interit.



