Bilanci negativ i Guardiolës, City i tij “fiket” në transfertë
Pep Guardiola e ka fituar dy herë Championsin si trajner me Barcelonën në vitet 2009 dhe 2011. Por, që nga ai moment, marrëdhënia e tij me kompeticionin më të rëndësishëm europian për klubet nuk ka qenë më i njëjtë.
Pas humbjes së mbrëmshme kundër Tottenhamit, disa medie kanë filluar t’i bëjnë llogaritë në transfertë. Kur Pep Guardiola luan një ndeshje e zbehtë larg nga shtëpia, shpesh i kujtohet ky bilanc negativ.
Gjithsej, trajneri katalan ka drejtuar 26 ndeshje në transfertë, në fazën me eliminim direkt të Champions-it. Bilanci është ky: 6 fitore, 10 humbje dhe 10 barazime. Shumë pak, për atë që konsiderohet trajneri më i mirë në botë.
Figura e Guardiolës si trajner mjegullohet dukshëm në këtë kompeticion, pas lamtumirës nga Barcelona. Në fakt, 8 vite kanë kaluar që nga fitorja e fundit e Pep në një çerekfinale, ose gjysmëfinale në transfertë. Kjo fitore daton në sfidën Real-Barcelona 0-2, mundësuar nga dygolëshi i Messit në vitin 2011.
Shpresa e vetme për tifozët e Manchester City është se spanjolli mund ta përmbysë plotësisht situatën (dhe figurën e tij) në ndeshjet në shtëpi. Ndoshta kjo vlen edhe për çerekfinalen e kthimit kundër Tottenham, që do ta nisë me disavantazhin minimal.



