Bologna mposht Napolin dhe ngjitet e 10-ta!
Bologna mbyll në mënyrën më të mirë një fazë të dytë të shkëlqyer. Pasi siguroi matematikisht mbijetesën me barazimin ndaj Lazios, skuadra e Mihajlovic mposhti 3-2 Napolin në javën e fundit të Serie A, duke u ngjitur përkohësisht në vendin e 10-të. Santander dhe Dzemaili në minutat e fundit të pjesës së parë i dhanë avantazhin e dyfishtë Bolognas, por Napoli i Ancelottit reagoi në pjesën e dytë duke barazuar shifrat me Ghoulam dhe Mertens. Atëherë kur gjithçka dukej se do të shkonte drejt barazimit, paraguiani Santander realizoi një gol të bukur me kokë duke dhënë fitoren vendasve dhe duke e ngjitur në kuotën e 44 pikëve Bolognan. Përfundoi në barazim pa gola sfida mes dy skuadrave që e kanë prerë prej kohësh biletën për në Serie B, Frosinones dhe Chievos.



