Bologna ndëshkon Chievon me dyshen Destro-Verdi
Lojën e bën Chievo por pikët i merr Bologna. Spektakël në sfidën që hapi javën e 18-të të Serisë A mes Chievos dhe Bolognas takim që u fitua me rezultatin 3-2 nga skuadra e Donadonit brenda në Bentegodi. Miqtë nga Emilia Romagna kaluan në epërsi që në minutën e 4-t me golin e Mattia Destros, megjithatë pjesa e parë u mbyll në një barazim 1-1 pasi sulmuesi i vendasve Inglese mposhti me një goditje të saktë me kokë portierin Mirante. Edhe në fraksionin e dytë në momentin më të mirë të skuadrës së Maran, Bologna shfrytëzoi një kundërsulm të shpejtë dhe pas një pritjeje jo të mirë të Sorrentinos, Verdi ndëshkoi Chievon. Por kartoni i kuq i Polit dhe goli i mbrojtësit Cacciattore në të 85-tën bënë të dukej sikur fatet e sfidës do të ndryshonin por edhe me 10 lojtarë Bologna gjeti sërish golin e fitores me qëndërsulmuesin Mattia Destro duke marrë 3 pikë të çmuara dhe duke u ngjitur në kuotën e 24 të tillave, ndërkohë që Chievo mbeti në kuotën e 21 pikëve.



