Bologna shpërdoron, Roma e ndëshkon dhe nuk i ndahet dy milanezeve!
Roma nuk i ndahet Interit dhe Milanit. Verdhekuqtë edhe pse me shumë fat mposhtën 2-1 Bolognan në Olimpico në sfidën që mbylli javën e 24-t të Serie A. Një fitore e pamerituar për Romën duke patur parasysh atë çfarë krijoi në fushën e lojës skuadra e Mihajlovic. Trajneri serb i ka ndryshuar fytyrën skuadrës kuqeblu që në këtë sfidë goditi në 10 raste kuadratin e portierit Olsen, ndërsa në një rast u ndal edhe nga traversa. Pasaktësia para portës e futbollistëve miq por edhe pritjet e portierit suedez të Romës ndihmuan skuadrën e Di Francescos të merrte tre pikët në këtë sfidë delikate dhe ta ngushtonte sërish në vetëm 1 pikë disavantazhin ndaj Milanit të vendit të 4-t. Rasti flagrant i Ederës por ai i Sorianos që u ndal nga traversa në fraksionin e parë, i dhanë zemër Romës që në fraksionin e dytë ndryshoi ritëm duke përfituar edhe nga një penallti e fituar nga El Sharaaëy dhe e transformuar në gol nga Kolarov. Në të 73-ën Fazio dyfishoi shifrat, ndërkohë që finalizimi i parë i Sansones me fanellën e Bolognas vlejti thjeshtë për statistika me Mihajlovic që pësoi humbjen e parë në stolin e skuadrës kuqeblu.



