Formula 1

Bombardimet në Ukrainë/ Vettel dhe Verstappen: Të hiqet gara e Rusisë nga kalendari i 2022-shit

Max Verstappen dhe Sebastian Vettel i kanë bërë thirrje Formula 1 që të heqë Çmimin e Madh të Rusisë nga kalendari i garave të vitit 2022.

Dy shoferët folën këtë të enjte, pasi Rusia nisi bombardimet ndaj Ukrainës, duke kërkuar heqjen e asaj gare, si kundërpërgjigje ndaj veprimeve të saj.

Çmimi i Madh i Rusisë është planifikuar të zhvillohet në Soçi më 25 shtator dhe katër herë kampioni I botës, Vettel ka deklauar se do të bojkotojë garën nëse ajo nuk hiqet nga kalendari.

Duke folur në provat parasezonal në Barcelonë, piloti i Aston Martin tha: “Mendoj se është e tmerrshme të shohësh se çfarë po ndodh. Natyrisht nëse shikoni kalendarin, ne kemi një garë të planifikuar në Rusi. Për veten time, mendimi im është që nuk duhet të shkoj, nuk do të shkoj. Mendoj se është e gabuar të garosh në atë vend. Më vjen keq për njerëzit, njerëz të pafajshëm që po humbasin jetën, po vriten për arsye budallaqe nën një udhëheqje shumë të çuditshme dhe të çmendur. Jam i sigurt se kjo është diçka për të cilën do të flasim, por si GPDA (Shoqata e Pilotëve të Çmimit të Madh), ne nuk jemi mbledhur ende.”

Kampioni në fuqi i botës, Max Verstappen ka kërkuar gjithashtu që gara të anulohet, por nuk ka kritikuar Rusinë.

Piloti i Red Bull tha: “Kur një vend është në luftë, nuk është e drejtë të garosh atje.”

Formula 1 ka refuzuar që të marrë në këto momente një vendim për Çmimin e Madh të Rusisë.

Në një deklaratë të lëshuar këtë të enjte thuhej: “F1 po vëzhgon nga afër zhvillimet dhe për momentin nuk ka asnjë koment të mëtejshëm mbi garën e planifikuar për në shtator. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë situatën nga shumë afër.”

Rusia po përballet me mundësinë e përjashtimit nga disa ngjarje të mëdha sportive, pasi presidenti Vladimir Putin nisi pushtimin e Ukrainës.

UEFA hoqi hinalen e Champions League të këtij sezoni, e cila do të zhvillohej në “Gazprom Arena” në Shën Petersburg më 28 maj, për ta zhvendosur në një tjetër vend.

Federata e Futbollit të Ukrainës i ka bërë gjithashtu thirrje UEFA-s dhe FIFA-s që të ndalojnë menjëherë skuadrat ruse të marrin pjesë në turnetë e tyre.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency