Khedira merr për dore Juven, Bonucci ‘tradhëton” Milanin
Juventusi nuk mund të shpërdoronte mundësinë për të rikuperuar pikë të vlefshme ndaj dy skuadrave kryesuese Napolit dhe Interit që të shtunën barazuan 0-0 mes tyre. Bardhezinjtë edhe pse luajtën me një lojtar më pak për më shumë se 60 minuta pas daljes me të kuq të Mandzukic bombarduan me një breshëri golash Udinesen brenda në “Dacia Arena”. 2-6 ishte rezultati përfundimtar i sfidës me Sami Khediran që ishte protagonist i padiskutueshëm për skuadrën e Allegrit. Mesfushori gjerman realizoi 3 herë në portën e Udineses ndërsa gjetën rrugën e rrjetës edhe Rugani e Pjanic, pa harruar që barazoi avantazhin provizor të Pericas, Samir me një autogol spektakolar. Ndërkohë golin e barazimit të përkohshëm 2-2 për Udinesen e shënoi kapiteni Danilo. Me këtë fitore Juventusi ruan vendin e 3-t por tashmë ka vetëm 1 pikë më pak se Interi dhe 3 më pak se Napoli i vendit të parë.
Milani harron të fitojë. Kuqezinjtë zhgënjyen sërish këtë herë në kampionat teksa u ndalën në një barazim pa gola nga Genoa brenda në San Siro. Një ndeshje që u kushtëzua nga veprimi i kapitenit Bonucci i cili në mesin e pjesës së parë goditi me brryl Rossin me gjyqtarin Giacomelli që i ndihmuar edhe nga ndërhyrja e VAR-it e ndëshkoi me karton të kuq ish mbrojtësin e Juventusit duke lënë me 10 lojtarë në fushë Milanin. Stoli i Vincenzo Montellës vazhdon të lëkundet, me pozicionin e trajnerit që është në dyshim të madh pas këtij tjetër hapi fals. U rikthye te fitorja Roma që iu fal këmbëve të serbit Kolarov për të mposhtur 0-1 Torinon në transfertë. Ashtu si në javën e parë ndaj Atalantës edhe këtë herë Kolarov ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje standarte për t’i dhënë tre pikët skuadrës verdhekuqe. Paraqitje e mirë e Etrit Berishës me portierin e kombëtares shqiptare që nuk pësoi gol në fitoren 1-0 të Atalantës ndaj Bologna-s. Fiorentina kaloi 3-0 Beneventon në transfertë me Gjimshitin e Memushajn që ishin titullarë ndërsa Sassuolo mposhti jashtë fushe 1-0 Spal-in.



