Botërori i Basketbollit në SuperSport, skuadra e SHBA-ve, favorite
Më datë 31 gusht do të nisë një nga evenimentet kryesore të vitit në basketbollin për meshkuj. Në Kinë do të zhvillohet Kampionati Botëror, një kompeticion emocionet e të cilit do të mund t’i përjetoni në SuperSport. Një nga përfaqësueset që ka përgjegjësinë më të madhe për të dhuruar emocione e spektakël është ajo e SHBA.
Greg Popovich nuk ka në dispozicion të gjithë superyjet, madje është një skuadër e përbërë kryesisht nga talente të ndërthurur me basketbollistë me përvojë si Brook Lopez, Kyle Lowry, PJ Tucker e Kemba Walker.
Tekniku i San Antonios ka qenë i detyruar të heqë dorë nga Zion Williamson, Kevin Love, Bradley Beal e Damien Lillard. Me përjashtim të Williamson, 3 të tjerët kanë kërkuar vetë të mos jenë pjesë e eventit, ndërkohë që së fundmi është tërhequr edhe Marvin Begley, që kërkon të përqendrohet tek sezoni i ardhshëm në NBA me skuadrën e Sacramento Kings.
Aktualisht Popovich ka 16 basketbollistë në dispozicion, në listën përfundimtare do të mbeten 12. SHBA-ja mbetet favorite kryesore, me 5 tituj kampion të fituar.



