Botërori për femra/Kina dominon Kanadanë, SHBA-të përmbysin Korenë e Jugut
Këtë të martë u luajtën ndeshjet e treta të kampionatit botëror për femra në volejboll, qw po zhvillohet në Japoni. Kombëtarja kineze mundi me thjeshtësi Kanadanë 3-0 me sete, 25-21, 25-21, 25-13. Lojtarja më e mirë e aziatikeve për këtë ndeshje ishte Ting Zhu, e cila realizoi 14 pikë, ndërkohë për kanadezet shkëlqeu Kiera Van Ryk, me 11 pikë. Kjo ishte fitorja e tretë për kinezet në tri ndeshje. Madje Kina nuk ka humbur asnjë set deri më tani, duke u renditur e para në Grupin B, së bashku me Italinë.
Edhe Shtetet e Bashkuara arritën suksesin e radhës në këtë Botëror. Amerikanet mundën 3-1 Korenë e Jugut, edhe pse ndeshja filloi në mënyrë surprizuese, pasi vendi aziatik fitoi setin e parë 19-25. Por në setet e radhës SHBA mori kontrollin e takimit, duke i fituar 25-21, 25-21 e 25-18. Për kampionet në fuqi lojtarja më e mirë ishte pa dyshim Kelly Murphy me 18 pikë, ndërkohë që për koreanet dominoi Jeongah Park, e cila shënoi plot 24 pikë. Kombëtarja amerikane, e cila cilësohet si favoritja kryesore në këtë kampionat botëror, gjendet në vendin e parë të Grupit C, pa asnjë humbje, e ndjekur nga Rusia.
Emocionet e ndeshjeve më të rëndësishme të këtij Botërori në volejboll për femra do të keni mundësinë t’i ndiqni në ekranin e SuperSport.



