Braziliani “ftohet” me Juventusin, e tregon agjenti: Mund të largohet në janar!
Arthur Melo ishte një nga lojtarët mbi të cilët Juventus ndërtoi shumë pritshmëri teksa e shkëmbeu në vitin 2020 me Miralem Pjanic. Mirëpo, paksa dëmtimet dhe më pas ndryshimi i trajnerëve nga Maurizio Sarri deri te Andrea Pirlo dhe më pas Massimiliano Allegri, kanë vendosur në dyshim të ardhmen e 25-vjeçarit në Torino.
Madje, këtë e ka konfirmuar edhe agjenti i mesfushorit, Federico Pastorello i cili ka theksuar se Arthur u transferua te Juventus prej trajnerit Sarri dhe tashmë në janar mund të largohet.
“Arthur ishte i zgjedhur për Sarrin dhe le të themi se ai ka karakteristikat e duhura për atë lojë, flas edhe nga ana fizike. Ndërkohë, nuk duket shumë i përshtatshëm për Allegri.
Në Torino janë të lumtur për të dhe për mënyrën si është rikuperuar pas dëmtimit, mirëpo të mbash në pankinë një lojtarë të kalibrit të tij është mëkat. Ne për mundësitë në janar nuk përjashtojmë asgjë, Spanjë, por edhe Itali apo Angli”, u shpreh agjenti Pastorello.



