Brdaric: Jam emocional, por do sillem më mirë. Gafat e arbitrave? Të shënojmë nga 2 gola…
Vllaznia luan një tjetër transfertë, kësaj radhe në Korçë përballë Skënderbeut të vendit të fundit, përballje që do të zhvillohet të premten (16:45) dhe do të transmetohet në Supersport. Trajneri i ekipit shkodran, Thomas Brdaric, i cili është i pezulluar për këtë sfidë, preku disa tema gjatë konferencës për shtypin, ku ndër të tjera tha:
“Na pret një ndeshje shumë seriozë, e kemi vlerësuar maksimalisht. Skënderbeu është një ekip në vështirësi, kështu që do të luajmë më fort dhe ne duhet të kemi një organizim shumë të mirë në lojën më top dhe pa top.
Më vjen keq për çfarë ndodhi. Sjellja ime do të jetë shumë më e mirë se në ndeshjen e fundit. Do të mbështes ekipin maksimalisht dhe do të jetë Plori që do t’i këtë gjërat nën kontroll. Lojtarët kanë qenë të përqendruar gjatë javës dhe do mundohemi të bëjmë më të mirën tonë.
Jam një njeri emocional. Ndonjëherë e bëj për të mbrojtur lojtarët e mi, ndonjëherë për të kundërshtuar vendimet e gjyqtarëve. Kanë punë të vështirë, por ndonjëherë marrin disa vendime të ekzagjeruara ndaj nesh. Na detyrohen disa shpjegime. Kur kërkojmë arsyetim për të diskutuar, ata na anashkalojnë, kështu që kërkojmë më shumë vëmendje.
Shumë kartonë të kuq? Duhet të japim jetën në fushë, besoj se e bëjmë këtë, por në disa raste duhet të jemi pak më shumë në kontroll të situatës. Nuk ka rëndësi e kaluara, të gjithë gabojmë, rëndësi ka të mësojmë nga gabimet. Jemi një ekip kompetitiv që mundohemi gjithmonë të bëjmë më të mirën tonë.
Sa pikë kemi humbur nga gabimet arbitrare? Nuk ka rëndësi sot, më e rëndësishme është të flasim që të jemi më të saktë përpara portës. Nëse shënojmë mbi 2 gola për ndeshje, atëherë mund të pranojmë edhe ndonjë gabim arbitrar. Duhet të jemi më të saktë dhe të përmirësohemi dhe të rritemi më tej.
Mungesat? Mungesat e Gurishtës dhe Hakajt nuk na dobësojnë, sepse në kemi një ekip të fortë dhe do i zëvendësojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. E kemi treguar edhe gjatë sezonit se jemi ekip i fortë. E rëndësishme është t’i shkaktojmë kundërshtarit humbjen e radhës dhe të marrim tre pikët.
Latifi-Da Silva? Mendoj se kemi shumë lojtarë të aftë për të shënuar dhe për të krijuar raste, por baza fillon nga mbrojtja. Nëse mbrojmë të gjithë, duke filluar nga sulmuesi kryesor, atëherë mundësitë do të vijnë dhe do të jemi të aftë të shënojmë.
Tirana-Laçi? Sigurisht që presim që kundërshtarët të bëjnë ndonjë gabim, por të përqendrohemi te ndeshja jonë. Është më e rëndësishme të fitojmë ne, çfarë ndodh në takimet e tjera nuk ka shumë rëndësi.
Titulli? Ne do të besojmë në çdo gjë realiste, por rëndësi ka sfida e radhës. Ne besojmë se jemi të aftë për të fituar çdo ndeshje, por duhet t’i fitojmë ato dhe më pas të ëndërrojmë”, përfundoi trajneri i Vllaznisë.
Quiz/ Sa mirë e njihni Ligue 1?



