Kupa e Shqipërisë

Brdariç: Të ardhmen e vendosim pas finales, e sjellim Kupën në Shkodër

Pasi i iku kampionati nga duart vetëm për shkak të golavarazhit, Vllaznia do të provojë të mbyllë me trofe sezonin, sepse do të përballet me Skënderbeun në finalen e Kupës së Shqipërisë, e planifikuar për të hënën në orën 19:00, në stadiumin “Air Albania” të kryeqytetit.

Shkodranët kanë dhuruar një futboll mjaft të bukur këtë sezon dhe janë gati të hapin shampanjën e festës në finale, ndërsa trajneri Brdariç doli në konferencën e zakonshme për shtyp, ku vlerësoi skuadrën e tij dhe bëri thirrje për përqendrim maksimal.

“Fakti që do të luajmë finalen e Kupës së Shqipërisë, është një pikë maksimale për lojtarët tanë, që duhet thënë se kanë bërë një sezon mjaft të mirë. Duhet ta marrim Skënderbeun shumë seriozisht, pasi edhe ata kanë dhuruar performanca pozitive dhe qëndruan në Superiore. Ne e dimë që duhet të jemi në maksimumin tonë për të fituar ndeshjen nesër. Fitimi i Kupës është i rëndësishëm për mua dhe skuadrën, pasi është speciale ta mbyllësh sezonin me trofe. Jemi të bindur për ta fituar këtë ndeshje”, u shpreh trajneri gjerman.

Kohët e fundit në media është raportuar se për trajnerin e shkodranëve ka shfaqur interes Tirana, e cila i ka ofruar pankinën për sezonin e ri, por vetë Brdariç mohon këto zëra dhe i quan të pavërteta.

“Jo, nuk kam dijeni. Dikush mund të ketë shpërndarë një thashethem apo fjalë, pasi e dimë që është fundi i sezonit dhe po tentohet të merren lojtarë apo trajnerë. Dikush mund të mendojë për mua, por askush nuk ka folur me mua”, tha Brdariç.

Presioni në këtë finale pritet të bjerë mbi klubin kuqeblu, që duhet të fitojë për të mbyllur sezonin me trofe, pasi korçarët e kanë arritur objektivin e tyre, mbijetesën, megjithatë Brdariç nuk fshihet dhe shprehet i bindur që Kupa do të udhëtojë drejt Shkodrës.

“Më pëlqen presioni, pasi duhet të jesh i kujdesshëm. Ne kemi strategjinë tonë, kemi stilin tonë të lojës dhe duhet të shijojmë ndeshjen, të jemi të uritur, pasi kjo është e vetmja mënyrë për të fituar finalen nesër. Jam i bindur që trofeu i Kupës do të vijë në Shkodër”, deklaroi trajneri i kuqebluve.

Sponsori i Vllaznisë, Alban Xhaferri është shumë pranë blerjes së aksioneve të klubit shkodran dhe ka deklaruar se do të mbajë gjatë Brdaricin te kuqeblutë, ndërsa vetë trajneri pranon se e ardhmja do të diskutohet pas finales së Kupës.

“E ardhmja ime nuk varet nga ndeshja e Kupës, por është një finale dhe duam ta fitojmë, për të treguar që jemi më të mirë se Skënderbeu dhe për të mbyllur në mënyrën më të mirë këtë sezon. Pres që fillimisht sponsori Xhaferri të marrë drejtimin e klubit dhe më pas do të ulemi të diskutojmë, por për momentin jam i përqendruar vetëm te finalja e Kupës”, tha Brdariç.

FSHF-ja dhe drejtues të dy klubeve kanë bërë apel te autoritetet shëndetësore, që të hapen dyert e “Air Albanias” për një numër të kufizuar tifozësh në finale, teksa këtë thirrje e përsërit edhe Brdariç, i cili thotë se e pret një surprizë në këtë aspekt deri nesër.

“Është zhgënjyese që nuk do të ketë asnjë tifoz, pasi të dy ekipet e meritojnë ta luajnë këtë finale me publik. Kam parë shumë ngjarje ku ka grumbullim masiv njerëzish dhe nuk e kuptoj si nuk lejohen tifozët në një finale, ndeshjen më të rëndësishme të sezonit. Shpresoj ta mendojnë edhe njëherë dhe të na bëjnë një surprizë nesër”, u shpreh gjermano-kroati Brdariç.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency