Kategoria Superiore

Bregu dhe James, fati i tyre lidhet me vendimin e KAS-it

Një vendim që mban pezull fate skuadrash e pa dyshim edhe futbollistësh. Te Skënderbeu vendimi në lidhje me pjesëmarrjen ose jo këtë verë në eliminatoret e Championsit pritet me interes edhe në planin personal nga shumë prej lojtarëve të kësaj skuadre.

Një prej tyre është dhe Dejvi Bregu. Fati i vlonjatit është i destinuar për të qenë i ngjashëm me atë të Kristal Abazajt: Skënderbeu një pistë tranziti për t’u katapultuar në një kampionat të rëndësishëm jashtë vendit, por koha e tranzitit varet nga fakti nëse skuadra korçare luan në Europë. Në rast se po, atëherë Bregu do të luajë edhe ndeshjet e Championsit, duke ndihmuar Skënderbeun dhe njëkohësisht shfrytëzuar vitrinën europiane për të rritur kuotat e tij. Nëse Skënderbeu nuk luan në Europë atëherë transferimi i Dejvi Bregut do të përshpejtohej, me futbollistin që me shumë gjasa do të largohet drejt kampionatit austriak.

Për sa i përket merkatos, edhe pse përmendet më pak, edhe James është një emër që ka pretendentë. Në zyrat e klubit korçar ka mbërritur prej kohësh një ofertë prej 110 mijë dollarësh për sulmuesin nigerian, që edhe janarin e kaluar ishte shumë pranë transferimit jashtë Shqipërisë. Shumë jo e vogël dhe për t’u marrë në konsideratë, por që në një klub si Skënderbeu kanë luksin për ta studiuar me qetësi, duke mos harruar për asnjë moment aspektin sportiv dhe komponentët në dispozicion të Ilir Dajës.

 

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency