Featured

Briken Calja, krenaria shqiptare në pedanë, Kosova me të arta në Olimpiadë

Briken Calja fantastik, medalje të argjendtë në Uzbekistan

Viti 2021 ishte historik për disa sportistë shqiptarë në sportet individuale. Në vitin e Olimpiadës aty ku Shqipëria nuk arriti të fitonte asnjë medalje, Briken Calja shkroi historinë duke fituar medaljen e artë në stilin e shkëputjes në Botërorin e Uzbekistanit dhe medaljen e argjendtë në dygarësh aty ku u rendit i dyti për vetëm 1 kg më pak se indoneziani Rahmat Erwin i cili u shpall kampion bote. Calja ngriti 156 kilogramë në shkëputje ndërsa në dygarësh u pozicionua i dyti me 342 kg në total. I shkoi shumë afër medaljes së bronztë edhe Erkand Qerimaj që u rendit i 4-ti vetëm për shkak të peshës trupore.

Luiza Gega, finaliste në 3000 m me pengesa në “Tokyo 2020”

Në Olimpiadën “Tokyo 2020”, ishte Luiza Gega që bëri më mirë. Atletja shqiptare u kualifikua në finalen e madhe të garës së 3000 metrave me pengesa, duke bërë një arritje historike edhe pse në finale nuk shkoi më shumë se vendi i 13-të duke lënë pas vetëm 3 atlete. Paraqitje të mirë në Tokyo 2020 bëri edhe Briken Calja në Peshëngritje që iu afrua shumë medaljes së bronzit në shkëputje të cilën e humbi për vetëm 1 kilogram ndërkohë që ngriti në total në dygarësh 341 kg, vetëm 1 më pak se në Botërorin e Uzbekistanit.

Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, të artat e Kosovës në “Tokyo 2020”

Arritje historike në Olimpiadën japoneze arriti Kosova në sportin e xhudos aty ku fitoi dy medalje të arta. Distria Krasniqi u shpall kampione e botës në peshën 48 kilogram duke mundur në finale xhudisten vendase Tuna Funaki. Për të ngritur lart në Tokyo 2020 flamurin e Kosovës mendoi Nora Gjakova që pak ditë pas suksesit të Distria Krasniqit triumfoi në peshën 57 kg pasi mposhti në finale francezen Leonie Sarah. Zhgënjeu këtë herë ndërkohë Majlinda Kelmendi ndërkohë që meritat për dy medaljet e arta të Kosovës në Tokyo 2020 shkojnë edhe për trajnerin Driton Kuka që stërvit prej kohësh tre xhudistet më të mira kosovare.

Basketboll meshkuj, triumfon Teuta

Ashtu si në futboll edhe në basketbollin e meshkujve viti 2021 i buzëqeshi Teutës që arriti suksesin e dyfishtë duke fituar kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë, në një vit që ishte thjeshtë perfekt për bregdetarët. Teuta mposhti 95-79 skuadrën tjetër të Durrësit Goga Basket në derbin e 4-t final duke triumfuar 3-1 me ndeshje. Në basketbollin e femrave buzëqeshi Flamurtari që fitoi kampionatin ndërsa Partizani bëri të sajën Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë.

Partizani, kampion në Volejboll për meshkuj

Në volejbollin e meshkujve ishte viti i Partizanit që i dha një leksion të vërtetë Erzenit në finale. Të kuqtë triumfuan 3-0 me ndeshje në serinë ndaj skuadrës shijakase. Në finalen e 3-të në sallën “Feti Borova” në kryeqytet, Partizani fitoi 3-0 me sete me shifrat 25-18 25-19 25-23. 2021 ishte vit fantastik për të kuqtë të cilët triumfuan edhe në Kupën e Shqipërisë.

NBA, viti i Milwaukee Bucks

Skuadra nga Wisconsin fitoi titullin e dytë në historinë duke u ngjitur në çatinë më të lartë të basketbollit amerikan pas plot 50 vitesh. Në finalen e madhe Milwaukee mposhti 4-2 me ndeshje Phoenix Suns për meritë edhe të grekut Giannis Antetokounmpo i cili falë paraqitjeve të tij magjike u shpall MVP-ja i finaleve.

Triumf “triller” i Max Verstappen në Formula 1

Në Formula 1 Max Verstappen theu hegjemoninë e Lewis Hamilton duke i hequr mundësinë pilotit anglez të fitonte titullin e 8-të kampion në histori dhe të bëhej më i madhi i të gjitha kohërave në këtë sport duke lënë pas edhe Michael Schumacher. Në një sezon të çmendur dhe me emocione pafund si ai i vitit 2021 gjithçka u vendos në garën e fundit në Abu Dhabi dhe në xhiron e fundit me Red Bullin e Verstappen që parakaloi Hamilton duke fituar titullin e parë në karrierë, një titull i merituar për një pilot super të talentuar si Vertappen të cilin e pret një karrierë e madhe përpara.

Moto GP, tërhiqet “Doktori”, sukses historik për Quartararo

.Në Moto Gp, viti 2021 do të mbahet mend gjatë pasi nga ky sport u tërhoq një legjendë e gjallë si Valentino Rossi i cili e mbylli në moshën 42-vjeçare me 9 tituj të fituar, 7 prej tyre në klasin mbretëror Moto Gp. Botërori i këtij sezoni ndërkohë u fitua për herë të parë nga Fabio Quartararo, francezi triumfoi për herë të parë në karrierë në një Botëror të çuditshëm i cili vuajti mungesën e Marc Marquez në garat e para dhe më pas u fitua nga një 22-vjeçar si Quartararo që nuk garonte as me Yamaha zyrtare.

Viti i Djokovicit në tenis, barazon legjendat Federer e Nadal

Në tenisin e meshkujve ishte viti i Novak Djokovic. Serbi u rikthye ai i ditëve më të mira duke fituar tre grand-slam e para të vitit Australian Open, Roland Garros dhe Wimbledon ndërkohë që përveçse rimori vendin e parë në klasifikimin e përgjithshëm të ATP, Nole barazoi edhe rekordin e dyshes Federer-Nadal që kanë fituar nga 20 turne grand-slam në karrierë. Djokovic edhe pse iu afrua pokerit, që do ta kishte shndërruar në më suksesshmin e të gjitha kohërave në këtë sport, nuk ia doli dot pasi në tokën e premtuar në US Open, triumfoi rusi i talentuar Danil Medvedev.

Tampa Bay Buccaneers, titullin e dytë në NFL

Në NFL, ose më saktë në ligën amerikane të futbollit fati i buzëqeshi Tampa Bay Buccaneers që dominuan duke triumfuar në finalen e madhe të Super-Bowl që u zhvillua në shkurt të 2021-t me rezultatin e thellë 31-9. Për Tampa Bay Buccaneers që sezonin e rregullt e kishin mbyllur në vendin e 5-të në konferencën e tyre, ky ishte titulli i 2-të në histori pas atij të vitit 2002. MVP-ja i finales u shpall i përhershmi Tom Brady i cili edhe pse 44-vjeçar vazhdon të lerë shenjë në sportin më të dashur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës teksa prej vitit 2020 është pjesë e Tampa Bay.

Quiz/ Sa mirë e njihni Ligue 1?


Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency