Broja vlerësohet nga UEFA, Tuchel elozhe për “raketën” kuqezi!
Armando Broja bën që të flitet gjithnjë e më shumë për të. Sulmuesi i Southampton është një nga lojtarët që këtë edicion po bën mirë në Premier League, teska ka realizuar 5 gola deri më tani në kampionat. Futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë ka marrë dhe vëmendjen e UEFA-s, teksa faqja e kampioantit evropian Euro2024 i ka dedikuar një postim 20-vjeçarit. “Raketa Armando Broja! Kush është talenti më premtues i përfaqësueses tuaj?”, thuhet në postimin e bërë.

UEFA ka përzgjedhur golin e realizuar në suksesin e kuqezinjve 5-0 ndaj San Marinos në Elbasan Arena, për të veçuar shtatlartin e sulmit. Broja ka shënuar 10 gola në total mes kampionatit, Kupës së Ligës dhe Kombëtres së Shqipërisë, diçka që nuk i ka kalaur jashtë vëmendjes dhe trajnerit të Chelseat, Thomas Tuchel. Blutë e Londrës kanë në pronësi kartonin e lojtarit dhe trajneri i kampionëve të Europës ka vlerësuar aftësitë e Brojës, duke i dhënë sinjalet se nëse vazhdon me këtë ritëm mund të bëhet pjesë e skuadrës nga Londra.
“Ai është lojtari ynë dhe po ecën mirë. Është vetëm gjysma e sezonit dhe ai duhet të vazhdojë të përmirësohet dhe të luajë. Armando po përmirësohet vazhdimisht. Ai është një lojtar unik me disa pika të forta të veçanta në lojën e tij. Është i shpejtë, është i fortë fizikisht dhe gjen golin në pozicione të vështira. E ardhmja e Brojës? Është momenti që ai të qëndrojë i qetë dhe të vazhdojë të përmirësohet”, u shpreh Tuchel.
Te Southampton janë të kënaqur me paraqitjet e Brojës dhe shenjtorët duan që të blejnë kartonin e 20-vjeçarit, por mbetet për t’u parë nëse Chelsea do të vendosë për ta shitur sulmuesin kuqezi, apo po mendon për t’i bërë vend në “Stamford Bridge”.



