Bruno Telushi, lideri i mesfushës së Egnatias, statistika mbresëlënëse ndaj Dinamos
Bruno Telushi është lojtari me më shumë eksperiencë që ka Egnatia në skuadër dhe me të drejtë trajnerin Gugash Magani e cilëson edhe si liderin e ekipit. Gjithsesi trajneri peqinas ia tërhoqi “veshin” mesfushorit vlonjat në emisionin Gol pas Goli pas gjestit që ky i fundit bëri në ndeshjen ndaj Dinamos duke ia lënë penalltinë e dytë që fituan rrogozhinasit në sfidën e Elbasan Arenas sulmuesit brazilian Pedro Augusto i cili u ndal nga Edvan Bakaj. Megjithatë duke iu referuar stastikave të evidentuara në emisionin Analizë Superiore, Telushi me paraqitjen e tij ndaj bluve kryeqytetas ishte jo vetëm lojtari më i mirë në fushë për Egnatian por edhe lojtari i ndeshjes.
Përveç se realizoi një gol me penallti mesfushori vlonjatv spikati edhe përsa i përkët aksioneve të realizuara teksa mori pjesë në 85 aksione duke realizuar me sukses 65 prej tyre me një % saktësie prej 76 %. Përsa i përket pasimeve Telushi ishte akoma edhe më i saktë teksa bëri 54 pasime dhe 50 prej tyre shkuan në destinacion me një përqindje saktësie prej 93%. Edhe në një aspekt tjetër të lojës, atij përsa i përket topave të rikuperuar ish mesfushori i Partizanit ishte thjeshtë gjigant duke rikuperuar 14 topa dhe 4 prej tyre në gjysmëfushën e Dinamos.
Telushi ishte mbret i mesfushës edhe në duelet e fituara teksa arriti të fitonte 8 nga 13 duelet në të cilat mori pjesë me një përqindje saktësie prej 62%. 31-vjeçari vlonjat u transferua te Egantia këtë verë pas eksperiencës në Azerbajxhan ku fitoi titullin kampion me Neftchi Baku dhe në këtë fazë të parë është aktivizuar në 8 takime nga trajneri Gugash Magani duke realizuar edhe dy gola.




