Bylisi e Tirana ndajnë pikët, bardheblutë venitin shpresat për titullin
Përfundon pa gola në “Adush Muça”. Barazim i bardhë mes Tiranës dhe Bylisit, rezultat që nuk i bën punë asnjërës skuadër, me bardheblutë që marrin një goditje të rëndë për sa u përket shpresave për mbrojtjen e titullit, ndërsa Bylisi, edhe pse luftoi për barazimin, lajmin e keq e merr nga afrimi shumë pranë i Skënderbeut.
Tirana është që në fillim më kërkuese, kërcënues Hoxhallari në goditjen me kokë në krosimin e Bathës, i zoti në reagimin e tij Pano Qirko. Pak më vonë Bylisi pretendon për një prekje me dorë në zonë të Hoxhallarit, vazhdon gjithçka rregullisht për kryesorin Kreshnik Bajramaj.
Tirana ka një shans të artë në të 23-tën, kur një pasim i bukur nxjerr të lirë Seferin, që i shmanget markimit, del i vetëm me portierin, Torasa është i lirë në krah, por preferon gjuajtjen që kthehet nga Pano Qirko. Vazhdon aksionin Torasa, por tanimë me mbrojtjen të rikthyer në bazë nuk ka shumë për të bërë. Në të 27-tën tjetër aksion i rrezikshëm i Tiranës, që finalizohet me një goditje të Gyamfit, por përgjigjet sërish mrekullisht Qirko, dhe më pas mbrojtja largon topin, edhe pse rasti është intrigues për të përsëritur imazhet me topin që i afrohet ndjeshëm vijës fatale.
I duhet fitorja Orges Shehit për të mbajtur gjallë shpresën titull. Provon ta zgjidhë pa sukses me një goditje të gabuar Taulant Seferi. Shumë pak bën Bylisi, ka pak force, si kjo goditje e Carkanjit, që me zor shkon në portën e Bekajt. Në shtesën e së parës vendasit protestojnë në lidhje me një pritje të “gardianit” bardheblu, por për kryesorin Bajramaj portieri nga Kosova e ka mbajtur topin jashtë vijës fatale.
Edhe në pjesën e dytë skenari nuk ndryshon, me Tiranën më kërkuese. Fillimisht është Najdovski që provon me një goditje jashtë portës, ndërsa menjëherë më pas shpërdoron Ismailgeci, që nuk arrin të godasë siç duhet shumë pranë vijës fatale.
Në të 74-tën është një tjetër mbrojtës, Kristi Vangjeli, që pas një goditjeje këndi gjuan me kokë sipër traversës. Me Tiranën të hedhur para Bylisi ka mundësinë e kundërsulmit në të 75-tën, gjatë një rasti të tillë Ntepe shërben mirë për Nebihin, por Najdovski i largon me mjeshtëri topin, një kundërzbritje që pa dyshim mund të ishte shfrytëzuar më mirë nga Bylis.
Shehi luan kartën e zëvendësimeve, duke futur në lojë Variynen dhe Elton Cale, të dy protagonistë në aksionin e minutës së 84-t, që finalizohet me goditjen e brazilianit, që duhet ta kishte ulur pak shënjestrën.
Pavarësisht dominimit në lojë, Tirana nuk arrin të shënojë deri në fund dhe përfundon 0-0, me bardheblutë që marrin një goditje në shpresat për të mbrojtur titullin. Ndërsa Bylisi, që e kërkoi barazimin, sheh që Skënderbeu është vetëm një pikë larg.



