Cagliari “supermarketi” i Monzës, Galliani pranë firmës me 4 futbollistë sardë
Monza siguroi ngjitjen për herë të parë në histori në elitën e futbollit italian dhe Adriano Galliani ka nisur punën për të bërë një përfaqësim sa më dinjitoz që në sezonin e parë në Serinë A.
Sipas mediave italiane, Cagliari është shndërruar në supermarket për Monzën, që synon të marrë 3-4 më të dalluarit e sardëve, të cilët nuk kanë ndërmend të vijojnë karrierën në Serinë B.
Kështu Galliani është shumë pranë firmës me Joao Pedron, sulmues italo-brazilian, për të cilin Monza do të paguajë rreth 7 milionë euro në arkat e Cagliarit, ndërsa dy klubet po diskutojnë edhe për emra si portieri Alessio Cragno, mbrojtësi Carboni dhe mesfushori Nahitan Nandez.
Që të tre këta të fundit u kanë bërë të ditur drejtuesve të Cagliarit se nuk dëshirojnë të luajnë në Serinë B, ndaj sardët do të provojnë t’i shesin, për të arkëtuar sa më shumë para dhe padyshim Monza është në krye të listës së klubeve të interesuara për futbollistët.
Krahas Cagliarit, Monza ka kthyer të edhe nga Interi, ku po synon të blejë kartonin e mbrojtësit Pirola, të cilin e kanë pasur në huazim sezonin e fundit, por edhe mesfushorin Stefano Sensi, që nuk bën pjesë në planet e Inzaghit.



