Carlos Alcaraz, adoleshenti me katër trofe ATP në karrierë
Carlos Alcaraz triumfon në turneun e Barcelonës, duke regjistruar suksesin e katërt në karrierë në aktivitetet ATP. Tenisti spanjoll nuk di të ndalet dhe ndonëse vetëm 18 vjeç sportisti, i riu nga Murcia u barazua me emra të tillë si Rafael Nadal dhe Andrey Rublev, që krenohen me nga tre turne të fituar në këtë sezon.
Pas sukseseve në Rio de Janeiro dhe Miami Carlos Alcaraz u bë tenisti i katërmbëdhjetë spanjoll që shënon emrin në turneun e mirënjohur, që zhvillohet çdo vit në kryeqendrën e Katalunjës. Në Brazil në turneun e dytë 500 të sezonit adoleshenti iberik mposhti 6-4, 6-2 argjentinasin Diego Schwartzman, ndërsa në Mastersin e Miami-t Alcaraz mundi në vetëm dy sete norvegjezin Casper Ruud.
18-vjecari nga El Palmari vazhdoi ritualin e zakonshëm, duke mbyllur sërish llogaritë në vetëm dy sete. Këtë herë viktima e radhës ishte spanjolli tjetër, Pablo Carreno Busta, që është 12 vjet më i madh në moshë se sa bashkëkombësi i tij. Për hir të së vërtetës një ditë tepër e veçantë dhe impenjative në Kompleksin Real Club de Tenis Barcelona, sepse të shtrënguar nga ndërprerja e sfidave gjysmëfinale një ditë më parë, për shkak të reshjeve të pandërprera të shiut, organizatorët I vazhduan ndeshjet pikërisht të dielën paradite në orën 11:10.
Natyrisht Carlos Alcaraz qëndroi më shumë në fushën e lojës në gjysmëfinalen e tij, teksa pati nevojë për pothuajse katër orë lojë për të rikuperuar disavantazhin e setit hapës, ndaj numrit 25 në planet, australianit Alex de Minaur, ndërkohë Carreno Busta mposhti 6-3, 6-4 në vetëm 100’ argjentinasin shtatshkurtër Diego Schwartzman.
Dueli final ishte programuar fillimisht për orën 16:00 megjithatë për shkak të kohëzgjatjes së ndeshjes Alcaraz – de Minaur takimi përmbyllës u shty deri në orën 17:30 për të nisur më pas edhe treçerek ore më vonë, për arsye të zgjatjes së finales në lojën dyshe, sidoqoftë duke lënë mënjanë fillimin sfida nuk pati shumë histori. Dy tenistët janë miq të mirë më njëri – tjetrin, gjithsesi Carlos Alcaraz dhe Pablo Carreno Busta nuk ishin përballur kurrë më parë mes tyre në një kompeticion ATP. Ekuilibri zgjati thjeshtë deri në barazimin 2-2, pasi në vazhdim adoleshenti nga Murcia bëri kërdinë duke marrë 4 nga 5 game-t e fundit të setit hapës.
Edhe në setin e dytë u përsërit e njëjta histori dhe numri 19 në rruzull u mbajt mirë deri në shifrat 2-2, sepse më pas Alcaraz fitoi katër game-t e fundit të takimit rresht, duke mbyllur përfundimisht ndeshjen me rezultatin 6-3, 6-2 në diçka më tepër se një orë lojë.
Pablo Carreno Busta kishte për të mbrojtur pikët e gjysmëfinales së edicionit të shkuar në Barcelonë, ku tenisti asturian u mund me po të njëjtat shifra nga rekordmeni I këtij turneu Rafael Nadal. Rafa e ka fituar plot 12 herë kompeticionin e quajtur “Torneo Godo” dhe 35-vjecari nga Majorka që ishte kampioni në fuqi pas fitores së vjetshme në tre sete ndaj grekut Stefanos Tsitsipas këtë herë mungoi për shkak të një dëmtimi në brinjë.
Pavarësisht disfatës me 120 pikët e fituara krahasuar me edicionin e kaluar 30-vjecari nga Gijoni do të përmirësohet nga vendi i 19-të në të 18 në klasifikimin e përgjithshëm, ndërsa në anën tjetër Carlos Alcaraz që më datën 5 maj do të festojë 19 vjetorin e tij përveç çekut të majmë prej 467.000 eurosh do të përmirësohet me tre pozicione. Në këtë mënyrë falë 500 pikëve të përfituara në turneun e Barcelonës Carlos Alcaraz do të katapultohet për herë të parë në karrierë në dhjetëshen e parë të botës, duke kërcyer nga vendi I 11 në pozicionin e 9 në renditjen botërore.
Për të gjetur tenistin e fundit që ka shpërthyer dyert e dhjetëshes së parë të botës në një moshë kaq të re duhet të kthehemi 17 vjet më parë, më saktë në vitin 2005, kur Rafa mundi në tre sete në finalen e Barcelonës pikërisht trajnerin aktual të Alcaraz-it, spanjollin tjetër Juan Carlos Ferrero.



