Carrick i zhgënjyer: Barazim i hidhur, penalltia e Chelsea nuk ishte
Manchester United ishte afër fitores, por duhet të kënaqet me një pikë në takimin me Chelsea, që rrezikoi ta humbiste fare në minutat e fundit. Sfida e kampionatit e luajtur në Londër, përfundoi në barazim 1-1, rezultat pozitiv për djemtë e Michael Carrick.
Gjithsesi, trajneri i përkohshëm i “Djajve të Kuq” u shfaq i trishtuar pas barazimit me ekipin që kryeson Premier League, kjo për faktin që avantazhi i Jadon Sancho (50’) nuk u ruajt dot dhe kampionët e Europës barazuan me një penallti të kthyer në gol nga Jorginho (69’).
“Jam i zhgënjyer. Kur kalon në avantazh në një ndeshje si kjo ndaj Chelsea, është mëkat të të ikë fitorja nga duart në këtë mënyrë. Jam krenar për atë që kanë bërë i gjithë grupi i lojtarëve gjatë gjithë javës.
U përpoqëm të nxirrnim maksimumin në një situatë të vështirë. Gjithsesi, na mbetet ajo ndjenjë pak e hidhur, sepse kishim ardhur në ‘Stamford Bridge’ për të fituar ndeshjen.
Nuk e fsheh dot faktin që jam i zhgënjyer. Penalltia? Jam i mendimit se nuk ishte fare penallti”, deklaroi trajneri i Manchester United, që ka vendosur t’i besojë stolin në vijim gjermanit Ralf Rangnick.
United renditet në vend të tetë të kampionatit anglez. Deri tani janë luajtur 13 javë dhe Cristiano Ronaldo me shokë numërojnë 18 pikë, 12 më pak se Chelsea i vendit të parë.



