Cassano vendos në “lupë” Casemiro dhe Vinicius: Më kujton Robinhon, shënon pak!
Pas triumfit madhështor në Europë ndaj PSG, Real Madrid tashmë zhvendos fokusin në ndeshjen e La Liga e cila nuk është aspak nga ato të zakonshmet pasi bëhet fjalë për El Classicon ndaj Barcelonës. Lojtarët e Los Blancos po kalojnë një formë të shkëlqyer në këtë sezon, teksa për organikën e madrilenëve ka folur një ish-lojtar i Real Madrid si Antonio Cassano.
Ky i fundit thekson se Casemiro është çelësi i suksesit së skuadrës kur triumfuan tre herë rresht në Champions ndërsa shton se Vinicius Junior i kujton Robinhon që humbiste shumë raste shënimi.
“Sa i përket Casemiros duhet falenderuar trajneri Benitez që e ka vendosur në atë pozicion, më kujton Makelelen për inteligjencën dhe ekuilibrin që i fal skuadrës. Perez është i dashuruar me lojtarë të tipit Ronaldo, Figo etj…
Por kur Zidan i besoi, ai fitoi tre Champions radhazi dhe kjo nuk është rastësi. Vinicius Junior? Mua më kujton Robinhon, di të luaj mirë dhe i hap punë kundërshtarit, por kur mbërrin në 20 metrat e fundit humbet shumë raste shënimi. Nuk di të godasë mirë, në atë zonë të fushës duhet të kesh instiktin e sulmuesit”, u shpreh Cassano.



