Cavani refuzon Juven, bardhezinjtë punojnë në dy pista të tjera për sulmin
Një sulmues pykë që të zëvendësojë Gonalo Higuainin dhe të luajë në qendër të repartit të avancuar, me Ronaldon e Dybalën në krah. Ky është objektivi më madhor i Juventusit në merkato, me bardhezinjtë që po punojnë paralelisht në disa pista.
Kështu mediat në Itali raportojnë se Paratici ka kontaktuar edhe me menaxherët e Edinson Cavanit, për ta sjellë këtë të fundit në Torino, duke qenë se është lojtar i lirë dhe i kanë ofruar një pagë prej 10 milionë eurosh në sezon.
Megjithatë sulmuesi uruguaian ka refuzuar transferimin te bardhezinjtë, pasi e ndjen veten shumë të lidhur me tifozët e Napolit dhe nuk dëshiron t’u bëjë “tradhti” atyre, ashtu siç kanë vepruar më herët Gonzalo Higuain dhe Maurizio Sarri.
Drejtori Sportiv i Juves vijon negociatat edhe për sulmuesin boshnjak Edin Dzeko dhe ka arritur madje një paramarrëveshje me këtë të fundit, por mbetet për t’u bindur edhe Roma, që nuk dëshiron ta nisë sezonin pa kapitenin e saj.
Miliarderi amerikan Dan Friedkin sapo ka marrë pronësinë e klubit verdhekuq dhe shitja e kapitenit do të ishte një sinjal jo i mirë për të ardhmen. Nga ana tjetër edhe te Juve nuk janë shumë të bindur për boshnjakun, duke qenë se ka 34 vite mbi shpinë dhe është në perëndim të karrierës së tij.
Një tjetër pistë që juventinët po mbajnë nën vëzhgim është edhe ajo e polakut të Napolit, Arkadiuz Milik, i cili është në vitin e fundit të kontratës dhe ka vendosur të ndryshojë ambient këtë verë.
Për kartonin e Milik Napoli kërkon të paktën 40 milionë euro, shifër kjo që ka stepur disi drejtuesit e Juventusit, që gjithsesi janë gati të negociojnë, nëse De Laurentiis do të pranojë përfshirjen e Bernardeschit në marrëveshje shkëmbimi.



